Ku është Kosova 25 vite pas Çlirimit? Albin Kurti në A2: Ndryshimet janë gjigante

05 qershor 2024 | 20:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha një intervistë për Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku foli për politikën e brendshme, arritjet e qeverisë së tij, sigurinë dhe kërcënimet nga Serbia, por edhe për çështje të tjera delikate.

Në fillim Kurti foli për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe arritjet e këtij shteti gjatë këtyre viteve. Kryeministri i Kosovës u shpreh se vendi ka bërë ndryshime gjigante.

“Të gjithë ata të huaj që po vijnë për të shënuar bashkë me ne 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, nëse nuk kanë ardhur më herët, nuk po mund ta njohin vendin tonë, pasi ndryshimet janë gjigante. Kjo na bën krenar, por edhe pak të pikëlluar dhe me dhimbje për ata që nuk janë më dhe e paguan çmimin më të lartë për shtetin dhe lirinë që e kemi. Ajo ishte koha kur 120 mijë e shqiptarëve ishin të djegura ose të rrënuara. Për 25 vjet është bërë përparim i madh, përveçse kemi nevojë për drejtësi, përveçse për progres, për këtë nevojitet trysni më e madhe e faktorit ndërkombëtar, që kriminelët që janë në pushtet në Serbi, përveçse sillen të lirë atje, të përgjigjen përpara drejtësisë në Kosovë dhe asaj ndërkombëtare. Plagët që na kanë mbetur të hapura në këto 25 vjet, të na mbyllen”, u shpreh Kurti.

Por, a është bërë mjaftueshëm gjatë këtyre viteve për dokumentimin e asaj se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së luftës?

“Jemi vonë, por jo tepër vonë. Faktorët ndërkombëtarë kanë qenë të suksesshëm në vitin 1999 kur është vendosur paqja në Kosovë, me hyrjen e trupave të NATO-s dhe me krijimin e mundësisë së kthimit të refugjatëve. Shqiptarët u kthyen menjëherë në vatrat e tyre. Kjo ishte edhe llogaria e gabuar e Slobodan Miloshevicit, i cili besonte se pas operacionit “Patkoi”, i cili i dëboi shqiptarët përveçse i vrau e i masakroi, do të bënte që ata të mos ktheheshin më kurrë në vendlindjen e tyre. Por kur është dashur të kalohej nga faza humanitare tek ajo e zhvillimit dhe e drejtësisë, as UNMIK dhe as EULEX nuk dhanë rezultate. Është për të ardhur keq që edhe drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë rezultatet e pritura prej nesh. Në fund të muajit maj janë bërë tashmë 5 vite prej sa e kemi mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Mirëpo, në gishtat e duarve mund të numërohet kjo që është bërë. Numri më i madh i masakrave nuk kanë askënd të akuzuar, gjykuar e dënuar. Unë besoj se ka shumë vend e urgjencë që prokuroria dhe gjyqësori të jenë më efikase, sepse shumë prej dëshmitarëve po plaken e po ndërrojnë jetë”, tha Kurti.

Logoja për 25-vjetorin e Çlirimit, një pëllumb i bardhë dhe shqiponja dykrenare, pse kjo zgjedhje?

“Dita e 12 qershorit në Kosovë nuk konsiderohet vetëm dita e Çlirimit, por edhe dita e paqes, meqenëse pa çlirim nuk ka paqe. Ajo është dita kur forcat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë, por nuk është dita kur çizmja e ushtarit apo e policit serb iku nga Kosova. Ajo është 20 qershori”, tha kryeministri i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se ushtria…