Policia thotë se në lokacionet e të dyshuarve për spiunazh u konfiskuan armë dhe municione

06 qershor 2024 | 11:19

Policia e Kosovës njoftoi se janë konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e dy shtetasve kosovarë që u arrestuan për spiunazh të mërkurën në Ferizaj.

Prokuroria bëri të ditur se dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

Ata janë ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit.

“Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve kosovarë, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska ushtarake gazi, si dhe shumë dëshmi të tjera”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë rast nuk janë dhënë më shumë detaje.

Por, mediat lokale raportuan se personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Në një reagim më vonë të mërkurën, BIA tha se e mohon “çdo lidhje me personat e arrestuar në Kosovë”.

BIA shtoi se bëhet fjalë për “përpjekjet e Prishtinës për përhapjen e lajmeve të rreme, se janë dy persona me iniciale B.SH dhe M.Q., të cilët janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj me akuzën se kanë kryer vepër penale të spiunazhit në marrëdhënie bashkëpunimi me Agjencinë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të enjten do…