RIKUJTESË | “Nënë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark”, historia rrëqethëse e 7-vjeçarit Leutrim Ahmeti që u vra nga forcat serbe

06 qershor 2024 | 21:01

Në shtëpinë e vjetër në Rezallë, nuk jeton më. Por, brenda mureve të saj, Bahri Ahmeti, i ka plot 7 vjet kujtime, më vëllain Leotrimin.

Ky i fundit u vra me 11 shtator të vitit 1998, në oborrin e shtëpisë së tij.

E mbathjet që i mituri i kishte veshur në ditën kritike i ruan ende, Bahri Ahmeti.

“Krejt çka kemi të Leotrimit, janë vetëm këto patika dhe disa foto që na kanë mbet. Këto i kishte mbathur në ditën kur është vra dhe ende nënës nuk kemi mund me ia tregu, se po na vjen shumë rëndë”.

E gjithë ngjarja ndodhi në oborrin e familjes Ahmeti në Rezallë të Skenderajt.

Në ato momente, ish-ushtari i UÇK-së, thotë se familja po bëhej gati të largohej nga shtëpia.

Por gjithë këtë e ndërpreu një granatë që forcat serbe e hodhën me minahedhës në oborrin e shtëpisë.

“Unë kam qenë me babën në vijën e frontit. Oborri u kanë plot me fëmijë. Leotrimi në ato momente ka qenë këtu në oborr duke prit me hipë në traktor dhe më u largu prej këtu. Atëherë kur ka rënë granata, ka shkuar tym i zi. Atëherë nana si u dal e ka pa çikën, fëmijët krejt të përgjakur e vëllai Bedriu e Avniu, i kanë shti në një veturë dhe janë nis për Likoc”, ka treguar për Tëvë1 Bahri Ahmeti, vëllai i Leotrimit.

E pasi i nisen për trajtim mjekësor të plagosurit, askush nuk e dinte që plagë në trup kishte edhe Leotrimi i vogël.

Pas kësaj ngjarje, 7-vjeçari bashkë më nënën, ecën të frikësuar deri tek shkolla e fshatit.

E këtu, Leotrim Ahmeti, i tha nënës së kishte dhimbje në stomak.

“Nëna i ka thënë, Leotrim hajde ma shpejt dhe e ka pa që po e mban dorën tek barku. Leotrimi i ka thënë: Nënë, nuk mundëm sepse edhe unë kam diçka në bark. Kur e sheh nëna, ja ka heq dorën, e ka pa që ja kanë nis zorrët më i dal jashtë. Atëherë ja ka qit xhemperin e Leotrimi i ka thënë mos ma shtrëngo shumë se po më dhemb barku”, rrëfen Bahri Ahmeti.

Më pas i mituri u transportua në disa ambulanca ushtarake.

Por, plaga që e mori nga granata serbe, doli të jetë fatale për të.

Leotrim Ahmeti, ndërroi jetë me 11 shtator të vitit 1998 në Spitalin Ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe varros.

Por, për plot 9 javë, babai i Leotrimit, komandant, Malush Ahmeti, e pa të birin në ëndërr.

Këto përjetime të babait, Bahri Ahmeti nën emocione, i ndau për herë të parë për Tëvë1.

“Nuk po mundëm gjumin si gjumë me bo, se po e shoh Leotrimin në ëndërr duke me thënë, o babë, hajde merrum. Kështu që baba tha deri te bi Leotrimin në vend temin, gjumin si gjumë nuk po mundëm ta bëj….edhe e kemi pru e kemi varros. Baba kur e varrosi tha tash edhe me vdekë me zhig nuk shkoi. E pas dy-tri dite tha nuk po e shoh kurrë më në ëndërr”, tha Bahri Ahmeti.

Tetë muaj pas vrasjes së Leotrimit, në vijën e parë të frontit të luftës, heroikisht ra edhe babai i tij, komandant Malush Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar piktorin, profesorin…