Shqipëria fiton 3-1 në miqësoren me Azerbajxhanin

07 qershor 2024 | 21:13

Shqipëria fiton 3-1 në miqësoren me Azerbajxhanin.

Kombëtarja kuqezi e drejtuar nga Sylvinho kalon kështu ‘provimin’ para Euro 2024.

Kuqezinjtë nisën ndeshjen mjaft mirë, duke u shfaqur në zonën kundërshtare që në fillim. Sfida u zhbllokua në minutën e 12-të, Nedim Bajrami u pozicionua në zonën e preferuar, e me një goditje të bukur me të djathtën, ia doli të dërgojë topin në cepin e portës.

Skuadra e Asadov nuk qëndroi “duarkryq”, reagoi mjaft mirë dhe iu afrua golit të barazimit në minutën e 23-të. Një krosim për Emreli, për fatin tonë nuk u arrit nga ky i fundit, me sferën që përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë të Strakoshës.

Në të 38-tën, sërish protagonist Nedim Bajrami, tentativa e tij nga goditja e dënimit u ndal nga portieri. Vetëm një minutë më pas, zbritje e shpejtë e ekipit të Sylvinhos me Seferin, Brojën dhe Bajramin, gjithsesi, aksioni nuk u finalizua si duhet.

Me rezultatin 1:0 u mbyll fraksioni i parë, ndërsa Sylvinho preferoi që në pjesëne dytë të aktivizonte edhe Hoxhën, Manaj, Aliji e Mihaj.

Azerët u vendosën në kërkim të golit të barazimit, Emreli nuk u tregua i saktë nga fare pranë portës në të 54-tën minutë, duke mos përfituar dot nga gabimi i Hysajt.

Në të 66-të, e djathta e fortë e Rei Manaj gjeti përgjigjen e portierit. Në minutën e 81-të, Manaj u rikthye te goli pas një periudhe të gjatë, duke gjetur kështu golin e qetësisë. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Qazim Laçi thelloi shifrat, duke ndezur edhe më shumë festën në stadium. Azerbajxhani realizoi golin e nderit në fund, me anë të Gurbanli.

Shqipëria kështu merr dy fitore në dy ndeshjet miqësore të qershorit, duke konfirmuar faktin se djemtë janë gati të na dhurojnë emocione në Europianin që nis pas disa ditësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte një fitore spektakolare, në sfidën e fundit përgatitore para…