Ky është programi i koncertit të këngëtares Shkurte Fejza që do të mbahet nesër në Prishtinë

07 qershor 2024 | 21:24

Ministria e Kulturës ka shpalosur programin për tri koncertet që po organizohen për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës: Koncerti “Shkurte Fejza – 50 vjet, Zëri i Kombit”, ai i Filharmonisë së Kosovës me Derrick May, Francesco Tristano dhe Dzijan Emin, dhe koncerti i Ditës së Çlirimit.

Në konferencën për media të mbajtur sot në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, aty edhe ku do të mbahet koncerti i parë “Shkurte Fejza – 50 vjet, Zëri i Kombit” më 8 qershor, dhanë detaje kompozitori Valton Beqiri, drejtori artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllani dhe këngëtarja Shkurte Fejza.

“Koncerti do të jetë live dhe në të janë të përfshirë emrat më të mëdhenj të kompozitorëve shqiptarë. Bashkë me Shkurte Fejzën do të performojnë edhe këngëtarët Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj dhe dy vajzat e Shkurtës, Gresa dhe Besiana. Koncerti do të përfshijë një reportuar të gjerë të këngëtares Shkurte Fejza. Nga këngët folklorike, popullore dhe ato të lehta që pasqyrojnë luftën, dashurinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar, duke u kthyer pas në kohë me copëza historie nga jeta jonë”, ka njoftuar MKRS-ja në faqen e saj në Facebook.

Ndërsa për koncertin e Filharmonisë së Kosovës me Derrick May, Francesco Tristano dhe Dzijan Emin, i cili do të mbahet më 11 qershor, po ashtu në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, detaje kanë dhënë ushtruesi i detyrë së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj dhe dirigjenti Dzijan Emin.

“Ky koncert vjen me një produksion të jashtëzakonshëm. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno, amerikanin Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm nga Luksemburgu, Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit nga Maqedonia e Veriut, Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike”, ka njoftuar MKRS-ja.

Kjo ministri ka njoftuar se koncerti i tretë për nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës do të mbahet më 12 qershor në sheshin “Zahir Pajaziti”. Aty do të performojnë: Adelina Ismaili, Juliana Pasha Dren Abazi, Jericho, Don’t Listen to Your Neighbors, Art Lokaj, Malda Susuri & Friends dhe Adrian.

“Të trija koncertet organizohen nën patronatin e Qeverisë së Kosovës. Hyrja është e lirë. Ejani të festojmë së bashku”, është bërë me dije në njoftimin e MKRS-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kubës njoftoi se…