Mirlind Daku: Nga KF Hajvalia e mosftesat nga “Dardanët” deri te Kombëtarja Shqiptare

12 qershor 2024 | 10:43

Me futboll e nisi në KF Hajvalia, e që nga viti 2017 nuk u ndal, duke arritur të bëhet pjesë e klubeve të njohura – e deri te përfaqësimi i Kombëtares Shqiptare në futboll.

Bëhet fjalë për futbollistin gjilanas, Mirlind Daku, vlera e të cilit aktualisht del të jetë 3 milionë euro, sipas “Transfermarket”.

Nga viti 2018, sulmuesi ishte pjesë e klubeve si Llapi e Ballkani për ta bërë pastaj kalimin në liga më të forta si ajo e Kroacisë e Sllovenisë, me klubet Osijek dhe Mura.

Daku shkëlqimin e vazhdoi në Rusi me klubin e Rubin Kazanit, atje ku në 29 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë katër asistime.

26-vjeçari kishte qenë pjesë e grupmoshës U21 të Kosovës, ndërsa debutimin me kombëtaren A të “Dardanëve”, Daku e kishte bërë në nëntor të vitit 2020.

Por, mosftesa nga trajnerët e “Dardanëve” për ndeshjet e rëndësishme kualifikuese bëri që ai si opsion ta mendonte kalimin tek “Kuqezinjtë”.

“Prej këtij momenti, prej kësaj faze që nuk e kom pas ftesën e Kombëtares së Kosovës, mundem mw thënë se kam filluar ta mendojë edhe këtë mundësi. Nëse më jepet mundësia, do ta përfaqësoj me gjithë zemër”, kishte thënë Daku tek “Dueli Sportiv” në qershor të vitit 2023.

Në qershor 2023, Daku mori pasaportën shqiptare duke u bërë i disponueshëm për të luajtur me Kombëtaren Shqiptare. Më 1 shtator, ai u thirr për dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 kundër Republikës Çeke dhe Polonisë.

Derisa, më 10 shtator 2023, Daku regjistroi golin e parë me Kombëtaren Shqiptare në fitoren 2–0 kundër Polonisë në Air Albania Stadium, duke shënuar vetëm dy minuta pasi kishte hyrë në fushë si zëvendësues. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë ndaj Polonisë që nga viti 1953.

Së fundi, Mirlind Daku nuk luajti asnjë minutë në dy miqësoret ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, para ndeshjeve të Shqipërisë në “Euro 2024”, por trajneri Sylvinjo tha se e gjithë kjo kishte të bënte me zëvendësimet e limituara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, miku i madh i shqiptarëve ka…