Momentet e para të çlirimit, si u pritën ushtarët e NATO-s në Kosovë

12 qershor 2024 | 15:22

Kosova sot shënon 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë brenda territorit të Kosovës, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Sot rikthehen në vëmendjen e publikut të gjitha pamjet që tregojnë gëzimin e popullit të Kosovës pas ndërhyrjes së NATO-s.

Në videot që gjenden në internet, shihet se ushtarët e NATO-s u priten me brohoritma nga qytetarët të cilët ishin të dërrmuar nga lufta.

Ndër pamjet më ikonike, prekëse e rrëqethëse është edhe ajo e burrit që hip mbi veturën e ushtarëve, duke brohoritur me aq zë sa kishte ‘NATO, NATO, NATO’.

Ndryshe, tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova

Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, trupat e të cilëve janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) ka njoftuar për marrëveshjen e…