Hani i Elezit, Hani i Shqiptarisë

13 qershor 2024 | 23:52

Shkruan: Sylë Ukshini

Çerekshekulli më parë, më 11 qershor 1999, Hani i Elezit – pika qendrore e lirisë së Kosovës – ishte vendi prej nga u larguan trupat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të cilat deri atëherë endeshin nëpër qytet të dalldisura, duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara në momentet e tyre të fundit. Por tash, Hani i Elezit, me trashëgimi të bujshme artistike dhe me edicionin e dytë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, shënoi kremtimin e Ditës së Çlirimit. Për tre netë me radhë, Hani i Elezit u bë epiqendra e mikpritjes së artistëve nga e gjithë gjeografia kombëtare shqiptare, duke u bërë Hani i Shqiptarisë.
Për tre netët me radhë, 9, 10 dhe 11 qershor, Hani i Shqiptarisë, ashtu siç e ka zakon, shpërfaqi tërë dashurinë, mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, duke u shpërfaqur një qytet i vogël, por me zemër të madhe! Hani është i bukur jo vetëm sepse është qyteti i parë kosovar që u çlirua nga emërtimi i dhunshëm i një gjenerali famëkeq serb, por edhe për faktin se na kujton qershorin e vitit 1999, ditët kur u dëgjua uturima e dislokimit të makinerisë ushtarake të NATO-s dhe largimin përfundimtar të një ushtrie okupuese të fqinjit verior. Vetëm dy ditë më parë, më 9 qershor 1999, ushtarakët e NATO-s dhe ata serbë nënshkruan në Kumanovë atë që u quajt Marrëveshja Ushtarake-Teknike. Pra, në mënyrë simbolike, Kosova u humb nga serbët në të njëjtin vend ku ata kishin shënuar fitoren e tyre në vjeshtën e vitit 1912.
Hani edhe sot na kujton se nga aty erdhi aroma e fuqishme e lirisë së Kosovës. Ndryshe nga festimet e tjera që ndodhnin në kryeqytet këtë 12 qershor, Hani nuk kishte vend për edhe një festë tjetër klishe me fjalime uniforme që ngjasonin në një retorikë pompoze. Më 9, 10 dhe 11 qershor, Hani marshoi, defiloi, vallëzoi dhe këndoi shqip! Kryetari i Hanit, Mehmet Ballazi, gjeti kohë t’i nderonte të gjithë, si të ishin mysafirë shtëpie! Ambientet e shtëpisë së kulturës “Imri Curri” ishin përplot me mysafirë dhe artistë nga vise të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët ishin të veshur me kostume nga krahina të ndryshme të shqiptarisë, por të gjithë ishin aty për një lajtmotiv të veçantë: për ta ngritur edhe më lart këngën, kulturën dhe folklorin e pasur shqiptar. Tre netët me radhë, zëri i Hanit të Elezit kumboi shqip, fort shqip, dhe u dëgjua në çdo cep të shqiptarisë! Hani po vjen si një uragan i fuqishëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shtëpinë e kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik është hapur…