Haxhiu dhe Sveçla vizitojnë Policinë e Kosovës: Fokusi në hetimin e krimeve të luftës

14 qershor 2024 | 11:56

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me stafin e lartë menaxhues, ka pritur në takim zyrtar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Fokusi i vizitës së ministrave, përveç tjerash, ishte te Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, për të parë nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e kësaj drejtorie në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të cilët kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë.

Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e luftës përfshirë dhunën seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, u vlerësua se duhet shtuar edhe më tej angazhimi i përbashkët i hetimit, arrestimit dhe procedimit penal të të gjitha rasteve të krimeve të luftës tek organet e drejtësisë.

Në takimin e përbashkët me stafin e lartë menaxhues, pjesë e të cilit ishin edhe stafi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës është ritheksuar zotimi për të mos reshtur së hetuari e kërkuari drejtësi për krimet e luftës, si dhe u ofrua mbështetje e plotë ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti ndaj kësaj drejtorie mjaft të rëndësishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nijazi Gashi, kryetar i Pensionistëve, shprehet aspak i kënaqur me…