Begaj niset drejt Gjermanisë, do të takohet me Steinmeierin

18 qershor 2024 | 13:09

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, niset sot (e martë) në një vizitë zyrtare dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë me ftesë të presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Kreu i shtetit shqiptar do të takohet kokë më kokë nesër me homologun gjerman dhe më pas do të mbahet takimi bilateral i delegacioneve.

Në fokus të takimit në mes të presidentit Begaj dhe homologut Steinmeier do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, zhvillimet në Ballkan, procesi i Berlinit që nxit afrimin e rajonit me BE-në, si edhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Në Berlin, Begaj do të takohet me drejtuesit e shoqatave të diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.

Pas Berlinit, Begaj do të zhvillojë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion“ në përpalljen e Shqipërisë me Kroacinë në “Euro 2024”.

Më pas, ai do të pritet në një takim zyrtar nga kryetari i këtij landi, Dr.Peter Tschentscher.

Gjithashtu, në agjendën e presidentit Begaj është edhe takimi me përfaqësuesin special të gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, shkruan “A2Cnn”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Joe Biden po ndërmerr një hap të gjerë,…