Thaçit dhe Veselit u vazhdohet paraburgimi

18 qershor 2024 | 14:02

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Në dy vendime të ndara, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith më 14 qershor 2024 ka obliguar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që dorëzimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit për dy të akuzuarit, t’i paraqes jo më vonë se 25 korrik 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Për arsyet e përmendura më lart, Paneli urdhëron këtu: (a) vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi dhe (b) urdhëron prokurorin special të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76…. Për arsyet e përmendura më lart, paneli këtu: a) urdhëron vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli dhe b) urdhëron ZPS-në të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Veseli jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76”, është thënë në dispozitivin e dy vendimeve për Thaçin dhe Veselin.

Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi ndaj tyre mbetet proporcional dhe i arsyeshëm duke iu referuar edhe gjetjeve të mëparshme të trupit gjykues.

Por, paneli ka specifikuar se arsyeshmëria e vazhdimit të paraburgimit të një të akuzuari duhet të vlerësohet mbi faktet e çdo rasti dhe sipas veçorive të tij të veçanta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të luajë të mërkurën e 19 qershorit ndaj…