Gjimshiti: E respektojmë Spanjën, por do të provojmë shanset tona

19 qershor 2024 | 19:32

Nuk shkuam më shumë se barazimi. Shqipëria dhe Kroacia shënuan nga dy gola, në “Volksparkstadion”, të Hamburgut, duke arritur të sigurojnë pikët e para në këtë Kampionat Evropian të futbollit e duke gëzuar sado pak tifozeritë e tyre, që kanë qenë ndër më spektakolare, deri në këtë pikë të Euro 2024.

Pas ndeshjes, disa fjalë për mediat i tha edhe “lideri” i prapavijës së “Kuqezinjve”, Berat Gjimshiti, me qendërmbrojtësin, i cili theksoi se se nuk mund të kënaqet pasi skuadra pësoi dy gola, ndërsa shtoi se ndaj Spanjës do të provojnë dhe do të luajnë në maksimum shanset e tyre.

“Të them të drejtën jam i lumtur për ekipin, reagimi ishte i fortë. Në fund meritonim barazimin, nuk jam i lumtur me golat që pësuam. Kombëtaret e mëdha me lojtarë të fortë nuk ju duhen shumë metra apo raste për të shënuar. Deri në të 74 nuk kishin raste, mbrojtëm mirë. Por, ato dy gola, nuk e di çfarë të them, më duhet ende që t’i përtyp.

Si mbrojtës nuk mund të jem i lumtur për ato dy gola, në fund duhej të kënaqeshim me barazim. Ndaj Italisë mungoi agresiviteti, por ndaj Kroacisë ishim gati dhe luftuam në çdo metër pavarësisht emrave që kanë ata në mesfushë. Nuk i lamë të lirë dhe shkaktuam faulla, i penguam.

Spanja? E njeh gjithë bota dhe janë favoritë në çdo ndeshje që luajnë. Janë favoritët për të fituar turneun. Por, për rrugën që kemi përpara, me pesë ditë kohë, do të mundohemi të përgatitemi mirë dhe t’i bezdisim. Edhe me Kroacinë mund të shënonim dy apo tre, e respektojmë Spanjën por do të provojmë shanset tona.

Tifozët janë gjithmonë “on top”, i falenderojmë se na mbështesin gjithmonë, jo vetëm në stadium. Më kanë bërë të ndjehem krenar, më vjen mirë edhe që Hysaj reagoi në fushë. Ai ka 10 vite eksperiencë, jam i lumtur për të sepse bëri ndeshje fantastike”,- u shpreh kapiteni i Kombëtares.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në veri të…