Kosova në presion politik, kurse nga ShBA dhe Gjermania miliarda investime në Serbi

20 qershor 2024 | 10:57

Shkruan: Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Bazuar në raportet ekonomike vërehet se investimet nga ShBA-ja në Serbi janë mbi 4 miliardë dollarë në vitet e fundit dhe kanë krijuar afër 30 mijë vende të punës në këtë vend. Kjo dëshmon për mbështetjen ekonomike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin këtij vendi me efekte pozitive shumë dimensionale.
Nga investimet e Gjermanisë në Serbi janë hapur mbi 100 mijë vende pune dhe këmbimi tregtar mes Serbisë dhe Gjermanisë është rritur në mbi 8 miliardë euro në të dyja anët.
Stabiliteti politik, një diplomaci aktive qoftë politike dhe ekonomike kanë arritur të tërheqin vëmendjen e investitorëve amerikanë dhe gjermanë në Serbi, dhe të përfitojnë në aspektin ekonomik, politik, gjeostrategjik e në veçanti në përmirësimin e imazhit të këtij vendi.
Në Kosovë çdo gjë është e politizuar, qoftë nga pushteti vendor po ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar duke bërë presion shumë më tepër në koncesione politike se sa në zhvillim ekonomik të Kosovës.
Se sa janë efektive investimet amerikane dhe të Gjermanisë e dëshmon rritja e eksporteve, shërbimeve dhe mallrave. Shfrytëzimi i këtyre indikatorëve për të promovuar këtë shtet si destinacion për të investuar.
Marrëdhëniet e mira ekonomike me ShBA-në, janë parakusht për tërheqjen e investimeve të reja dhe mbajtjen e investimeve ekzistuese. Serbia aktualisht ka bashkëpunim dypalësh, politik dhe ekonomik në rritje me Amerikën.
Në njëzet vitet e fundit, kompanitë amerikane kanë investuar më shumë se katër miliardë dollarë dhe kanë punësuar me shumë se 30,000 qytetarë. Niveli i shkëmbimit të shërbimeve është rritur aq shumë sa Amerika është partneri numër një kur bëhet fjalë për eksportimin, kryesisht IT, shërbimeve nga ky vend.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat krijuan bashkëpunim me kompani gjermane, pesë prej të cilave u renditën në mesin e 15 eksportuesve më të mëdhenj “vendas”, ku vendin e parë të asaj “Bundes League” të eksportuesve në vitin 2023 është ZF S me eksporte prej 504.8 milionë euro, e ndjekur nga Leoni Wiring Systems Southeast me 489.3 milionë, Robert Bosch me 453 milionë, Henkel me 405 milionë dhe Hemofarm me 351.9 milionë euro. Përveç tyre, gjithsej 1126 kompani nga Serbia eksportojnë në Gjermani. A duhet të përmendim veçanërisht se nuk ka asnjë kompani të vetme pronari i së cilës është shumica nga Serbia në top listën e 15 eksportuesve më të mëdhenj “serbë”?. Kompanitë e huaja, mes të cilave janë pak më shumë se 900 gjermane, nuk erdhën në ketë vend për tregun e brendshëm, por për të tregtuar atë që prodhojnë këtu për klientët nga disa vende të tjera. Kompanitë gjermane do të punësojnë drejtpërdrejt 100,000 qytetarë në Serbi deri në fund të vitit 2024.
Në fund të fundit, në janar 2023, tregtia ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë ishte rreth dy miliardë euro dhe që atëherë është rritur në 8.2 miliardë euro. Në vitin 2014, sipas të dhënave zyrtare të Institutit Republikan të Statistikave, këmbimi total i mallrave ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë ishte pothuajse 3.2 miliardë euro, ndërsa në vitin 2013 ishte 2.9 miliardë euro.
Vitin e kaluar u shënua një rekord i ri, eksportet u rritën në 4.3 miliardë euro, ndërsa importet në 4.8 miliardë euro. Ky trend vazhdoi edhe këtë vit, kështu që në katër muajt e parë, eksportet u rritën me gjashtë për qind, në 1.5 miliardë euro, ndërsa importet me 9.6 për qind, në 1.7 miliardë euro.
Nuk janë vetëm ShBA-të dhe Gjermania prezentë me investime në këtë vend por edhe Turqia, Austria, Italia, Japonia etj.
Nga e tëra kjo vërehet një padrejtësi që i bëhet Kosovës në rrafshin politik që po reflekton edhe në aspektin ekonomik nga faktorë ndërkombëtarë.
Kosova duhet të marrw fatin e zhvillimit ekonomik në duart e veta drejt të ardhmërisë së vet ekonomike duke arritur stabilitet politik, partneritet me miq ndërkombëtar, depolitizim të ekonomisë, orientim në kuadro me bagazh profesional dhe jo vetëm përkatësi politike dhe forcim të diplomacisë politike, e në veçanti asaj ekonomike që të promovojë Kosovën kudo në botë, të përmirësojë imazhin e saj dhe të i bindin të tjerët e në veçanti investitorët potencial se Kosova është shumë më e mirë nga brenda se sa që duket nga jashtë.
Republika e Kosovës është një realitet i kohës i pranuar ndërkombëtarisht dhe krahas ndihmës politike nga faktori ndërkombëtar ka nevojë për mbështetjen ekonomike si garanci e stabilitetit politik, social, integrues dhe barazisë rajonale si parapërgatitje për integrim në BE, OKB dhe në NATO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Furnizohu me çmim të lirë, cilësi të mirë dhe bëni…