Prezantohen arritjet dhe rezultatet e projektit të BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë

20 qershor 2024 | 11:48

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit Eukojust ku u prezantuan qëndrimet e tyre mbi reformën në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.

Projekti Eukojust, me një buxhet prej 7 milionë eurosh, filloi zbatimin e tij në tetor të vitit 2020, me qëllim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë së Kosovës në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ky projekt është zbatuar bashkërisht me akterët kryesorë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës (KGJK dhe KPK), Akademinë e Drejtësisë dhe Zyrën Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Përpjekjet e tyre të përbashkëta kishin për qëllim forcimin e koordinimit brenda sektorit të drejtësisë dhe lehtësimin e zbatimit të strategjisë për sektorin e sundimit të ligjit.

Ambasadori Szunyog, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe figura të tjera të shquara, ndanë pikëpamjet e tyre mbi efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si dhe përparimin e arritur në reformat e drejtësisë në kuadër të projektit Eukojust.

Projekti ndihmoi institucionet e drejtësisë së Kosovës në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale, forcimin e pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjësisë, profesionalizmit, cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit, si dhe përmirësimin e qasjes në drejtësi për çdo qytetar, veçanërisht për gratë dhe grupet e cenueshme ose të margjinalizuara.

Projekti ka arritur rezultate të rëndësishme në katër objektivat e tij kryesore.

Në aspektin e “Forcimit të kapaciteteve dhe koordinimit ndërinstitucional”, projekti mbështeti institucionet e drejtësisë në arritjen e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për intensifikimin e veprimeve të përbashkëta drejt avancimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.

U krijua një Mekanizëm Koordinues Ndërinstitucional; u zhvillua një Plan Veprimi për vlerësimin e sistemit TIK në sektorin e drejtësisë dhe u lehtësua organizimi dhe sistematizimi i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë. Për më tepër, projekti ndihmoi në hartimin e Manualit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Çështjet Civile dhe Penale, si dhe në zhvillimin e Planit Strategjik 2022 – 2025 për KPK-në. “Pavarësia, paanshmëria dhe llogaridhënia” janë përmirësuar falë këshillave dhe mbështetjes së vazhdueshme të ofruar nga projekti.

Në veçanti, ka pasur mbështetje të vazhdueshme në drejtim të llogaridhënies, reformës së administratës dhe avancimit në karrierë për prokurorët; Është ofruar mbështetje për ndryshimet ligjore lidhur me përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve; formimi i Komitetit të Etikës për prokurorët; është përmirësuar cilësia e të dhënave të mbledhura nga gjyqësori, nëpërmjet ofrimit të mbështetjes; zhvillimi i sistemit të E-dosjeve për KGJK-në si dhe digjitalizimi i regjistrave të gjykatave për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në aspektin e “konsolidimit, harmonizimit dhe zbatimit të legjislacionit”, projekti ka mbështetur institucionet e Kosovës në ndjekjen e qasjes së re tematike e cila e përdor legjislacionin e BE-së si pikënisje për harmonizimin e legjislacionit të Kosovës. Gjithashtu, është realizuar një proces efektiv i pastrimit të legjislacionit të Kosovës nga e kaluara. Në kuptimin praktik, projekti mbështeti institucionet e drejtësisë në reformën e rëndësishme ligjore me hartimin e Kodit të Procedurës Civile; Ligjit për Gjykatën Administrative; Ligjit për Dhomën e Posaçme, Ligjit për të Drejtën për Gjykim të Drejtë dhe vlerësimin ex-post të akteve juridike.

Janë përmirësuar “qasja në drejtësi” për grupet e cenueshme dhe fuqizimi i komuniteteve përmes sesioneve informative ligjore, si dhe ngritja e kapaciteteve për përkthyesit dhe interpretët e KGJK-së, KPK-së dhe MD-së. Forcimi i koordinimit të donatorëve për çështjet kyçe për të shmangur dyfishimin e veprimeve është një tjetër rezultat i mbështetjes së projektit për institucionet e Kosovës në këtë fushë.

Projekti zbatohet nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ) si partner udhëheqës së bashku me partnerët e projektit: Qendra për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC; Holandë) dhe Ministria e Drejtësisë së Kroacisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i…