E kujt është përgjegjësia për hapjen e urës së Ibrit?

21 qershor 2024 | 08:21

Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve janë vetëm dy nga mënyrat se si është përshkruar ndër vite ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy komuna.

Për dikë, hapja e saj është edhe simbolikë dhe çështje tërësisht politike, pasi qytetarët gjejnë rrugë alternative për të kaluar nga një zonë në tjetrën.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet opozitar në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirëse vendimi për hapjen e urës i takon Qeverisë së Kosovës, por se nuk beson që ajo mund të veprojë asisoj pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me KFOR-in.

“Nëse Qeveria e Kosovës merr vendim, frikësohem që nuk do të zbatohet nga KFOR-i”, shprehet ai.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Kronologjia e zhvillimeve rreth urës

Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.

Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.

Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.

Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.

Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.

Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Një tjetër problem për hapjen e urës ka qenë edhe konteksti për kufijtë komunalë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…