QEPARO – FSHATI I VJETËR ANTIK, NJË FSHAT I RI TURISTIK

23 qershor 2024 | 17:13

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCXIII)

Nga: Berat Luzha

Në rrugën e Bregut të Detit apo të Rivierës Shqiptare, pasi të kalohet Porto Palerma, shfaqet fshati i vjetër i Qeparos, një fshat i mbushur me ullinj e agrume. Qeparo ndodhet 13 km në jug të Himarës, 39 km nga Saranda dhe 77 km nga Vlora. Para pak viteve Qeparo ka fituar edhe një lidhje të re përmes rrugës Qeparo – Kuç, me çka i afrohet për disa kilometra Tiranës dhe lidhet drejtpërdrejt me krahinën e Labërisë dhe me qytetin e Tepelenës.
Në fakt, ndodhen dy fshatra me emrin Qeparo; Qeparo i Vjetër, i vjetër rreth 1000 vjet dhe Qeparo i Ri, i ndërtuar më vonë pranë Detit Jon. Qeparo i Vjetër, i përmendur për herë të parë në vitin 1551, është ndërtuar në kodrën e quajtur Pirg, në lartësi mbidetare 450 metra dhe i gjendur 3500 metra larg bregut të detit, ku janë krijuar disa hone dhe katarakte mahnitëse. Kodra mbi fshat është e rrethuar apo e fortifikuar nga pesë mure të ndërtuara me gur, për t’u mbrojtur nga sulmet e huaja.
Materiale e gjetura arkeologjike flasin se në këtë vendbanim ka pas jetë aktive qysh në shek. IV – III p.e.r. Panorma, sipas autorëve antikë, përmendet si njëri ndër limanet më të rëndësishme në brigjet e Kaonisë. Në të kaluarën Qeparoi njihet veçanërisht për kapedanët e shumtë, ndaj është mbiquajtur edhe si “Fshati i Kapedanëve”, që d.m.th. fshati i burrave që luftonin me pushtuesit osmanë.
Për vlerat historike e natyrore, për traditat e pasura dhe për arkitekturën unike, fshati Qeparo është ndër fshatrat më të veçantë të jugut të Shqipërisë. Ka arkitekturë tradicionale, rrugë të ngushta me kalldrëm dhe tetë kisha të vjetra, si dhe këmbonaren monumentale 27 metra të lartë, e ndërtuar në vitin 1867. Në një nga ikonat e kishës së Shën Spiridhonit ndodhet mbishkrimi i vitit 1859, që thotë: “Lutja e Kapedan Sokrat Lekës”. Rreth 1 km në veri të fshatit ndodhet kulla e Ali Pashës. Aty ndodhen edhe dy shpella dhe dy kisha shekullore. Mbi fshatin Qeparo, në majën e një kodre, gjenden gërmadhat e kështjellës 3700-vjeçare. Me interes janë edhe epigramet në muret e shtëpive të fshatit. Në plazh ndodhet moli i lashtë i anijeve, kurse rreth kodrës së Panormës është humnera 115 metra e thellë.
Qeparo është fshati që e ka ruajtur me fanatizëm gjuhën shqipe gjatë tërë historisë së tij, duke folur vetëm shqip, përkundër ndikimeve dhe presioneve që vinin nga kisha, nga Porta e Lartë dhe nga shteti fqinj, Greqia. Edhe emri i fshatit është në gjuhën shqipe, që rrjedhë nga emri i drurit të qiparisit.
Nga fshati Qeparo shpalosen pamje të mrekullueshme të detit të kaltër, ku ndodhen dy gadishuj. Në njërin gadishull dikur kishte një mol, ku lidheshin anijet. Aty është Lugina e madhe e Qeparoit me një fushë të gjelbër që krijojnë mozaik shumëngjyrësh, shumë interesant. Lugina e Qeparoit është e mbushur me ullishte dhe agrume të shumta, ndërsa në krah të luginës ndodhet plazhi i gjatë i Qeparoit, ndër më të bukurit në vend, ku ka rërë të imtë dhe det të cekët. Përmes luginës zgjatet, deri në det, një lumth, i cili verës shteron e dimrave rrëmben çka të gjejë përpara.
Përreth detit, në Qeparo, është ndërtuar shëtitorja fantastike, e gjatë 1300 metra dhe e gjerë 6 metra, e cila e ka ndryshuar në tërësi pamjen e fshatit dhe të plazhit. Brenda shëtitores janë ndërtuar edhe veprat e artit; një urë druri dhe një urë betoni, 10 shatërvane dhe tri sheshe të gjera.
Qeparo është një fshat magjik, ku kombinohen aq bukur ngjyrat e detit e të fushës së gjelbër. Është ndërtuar mes detit e malit, ndërsa gjallërohet muajve të verës, kur në fshat vijnë turistë të vendit dhe të huaj, kryesisht pushues familjarë. Tashmë Qeparo është një fshat i ri turistik, mjaft i pëlqyer nga pushuesit e shumtë, sidomos nga turistët e jashtëm. Vijnë këtu për plazhin e mrekullueshëm, për qetësinë e kërkuar, për ushqimin e mirë dhe për ujin e pastër kristal.
Është me interes të vizitohet fshati i vjetër i Qeparos, që gjendet lart mbi kodra e që ka rrugica të ngushta me kalldrëm dhe shtëpi të bardhe e të bukura, por edhe mjaft shtëpi të braktisura. Nga fshati i vjetër shfaqen pamje fantastike mbi detin e kaltër e të paanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sulm me dronë dëmtoi një anije tregtare 120 kilometra…