Rama rekomandon institucionet t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna

24 qershor 2024 | 14:08

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka lutur qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites si dhe i ka sugjeruar institucionet publike dhe private që të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihet shi me intensitet të lartë.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme, kanë dal në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme.

“Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Lutim qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje. Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor prandaj jemi në terren në çdo kohë! Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244”, ka shkruar Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli nuk është temë e ditës në Europë këto ditë,…