Pheniani: Stërvitjet mes Uashingtonit, Seulit dhe Tokios janë versioni aziatik i NATO-s

30 qershor 2024 | 10:59

Koreja e Veriut ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar si “version aziatik të NATO-s” dhe duke paralajmëruar për “pasoja fatale”.

Ky reagim i Phenianit vjen një ditë pasi këto shtete aleate përfunduan stërvitjet treditore të quajtura “Shqiponja e Lirë”, ku u përfshin raketa balistike dhe mbrojtja ajrore, trajnimet për sulme nga nëndetëset dhe stërvitje për mbrojtje kibernetike.

Udhëheqësit e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë gjatë një samiti vitin e kaluar u pajtuan që të mbajnë stërvitje vjetore si shenjë e unitetit kundër kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe rritjes së ndikimit të Kinës në rajon.

“Ne dënojmë fuqishëm… shfaqjen provokuese të muskujve ushtarakë kundër Koresë së Veriut”, tha Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, sipas njoftimit të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

“Raportet mes SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut duken si versioni aziatik i NATO”, tha kjo ministri, duke paralajmëruar për “pasoja fatale”.

“Koreja e Veriut kurrë nuk anashkalon lëvizjet e SHBA-së dhe ndjekësve të saj për të forcuar bllokun ushtarak”.

Në stërvitjet e fundit u përfshi edhe aeroplanmbajtësja amerikane, me fuqi bërthamore, USS Theodore Roosevelt, sistemi raketor japonez, JS Atago, dhe avionët luftarakë të Seulit të llojit KF-16.

Pheniani gjithmonë reagon për stërvitje të tilla ushtarake, të cilat i cilëson si përgatitje për pushtim.

Seuli ka hedhur poshtë akuzat e Phenianit, duke thënë se stërvitjet e fundit ishin vazhdim i stërvitjeve mbrojtëse që mbahen rregullisht për vite të tëra nga tre aleatët.

“Është absurde që Koreja e Veriut, burimi kryesor i tensioneve në Gadishullin Korean, kritikon stërvitjen ‘Shqiponja e Lirë’, duke e cilësuar si “NATO aziatike’”, tha Ministria e Mbrojtjes e Seulit.

Tensionet mes dy Koreve janë rritur së fundi, pasi të dyja kanë hedhur në territoret e njëra-tjetrës balona gjatë javëve të fundit. Veriu i ka mbushur balonat me mbeturina, ndërkaq Seuli ka hedhur balona të mbushura me mesazhe pro-Seulit. /Rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy lojë tejet interesante do të zhvillohen sot në fazën…