Kosova me shumë “politikanë” e pa asnjë burrështetas aktual

30 qershor 2024 | 12:07

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Që nga pandemia Covid-19 dhe lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës bota ka përjetuar ndryshime të shumta por edhe me sfida të papritura dhe të rrezikshme.
Gjeopolitika po ndryshon duke u krijuar tabore dhe aleanca politike, ekonomike, kulturore dhe historike.
Pjesa më e madhe e botës është në proces të zgjedhjeve politike duke filluar nga ShBA, BE, Britania e Madhe, India por edhe në shumë shtete tjera. Ndërkaq fryma majtiste, nacionaliste por edhe separatiste është në rritje e sipër.
Këtë e dëshmojnë rezultatet e zgjedhjeve qoftë në Francë, BE, Sllovaki, Britani, etj.
Ballkani Perëndimor vazhdon të prodhojë edhe më tutje më shumë histori dhe të kaluar se sa normalizim politik, ekonomik, kulturor, social, integrues dhe perspektivë evropiane.
Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor është arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, por që të dyja palët janë shumë afër por edhe shumë larg.
Nga prolongim i dialogut maratonik në mes të Kosovës dhe Serbisë koston më të madhe në këtë drejtim po e paguan Kosova.
Dominimi i agjendës politike po i lë jashtë fokusit shumë procese strategjike në interes të shtetit dhe perspektives evropiane të Kosovës.
Në kohën e kremtimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës të jemi nën masa ndëshkuese apo sanksione nga Bashkimi Evropian besoj se është mjerimi më i madh që e ka katandisur Kosovën.
Aroganca e pushtetit përballë qytetarëve, përballë sektorit privat, përballë sindikatave dhe zbatimi i formulës famëkeqe se ‘në qoftë se nuk je me ne, je kundër nesh’ është rrezik në rritje.
Tentativa për barazi në varfëri dhe jo në zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri vazhdon të dominojë në Kosovë. Bizneset shumë më tepër dënohen sesa që mbështeten apo rieduktohen e trajtohen.
Raportet e acaruara me shtetet mike evropiane, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë meritorët më të mëdhenj për lirinë dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës është ushqimi më i mirë për armiqtë tonë shekullor.
“Njeriun që fle në gjumë e ke lehtë për ta zgjuar por atë që aktron se po fle e ke të pamundur për ta zgjuar”.
Në Republikën e Kosovës kritika është armiqësi dhe jo nënë e të mësuarit, prandaj servilizmi i ndërtuar në pa dijeni por në militantizëm partiako-politik është vlera e pushtetit aktual.
Kosovës i duhen liderë që gjejnë zgjidhje të problemeve dhe prolongim apo bajpasim të problemeve.
Në Kosovë mjerisht ka shumë “politikanë” por asnjë burrështetas që ka guxim të ngritët mbi interesa për pushtet dhe për të ushqyer militantët partiakë. Duhet të kemi lider, i cili jep kontribut në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të tij, i cili do të forcojë dhe vazhdon partneritetin me shtetet mike evropiane dhe SHBA-të. Duhet të jemi falënderues ndaj tyre dhe bashkërisht me ta siç e fituam lirinë, duhet ta forcojmë ardhmërinë, sepse ketë e meriton Republika Kosovës, sakrifica për liri. Këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës dhe perspektiva euro-atlantike.
Gaboni të gjithë ju “politikanë” dhe armiq në qoftë se mendoni se Republika e Kosovës është e përkohshme, është e arritura më e madhe në historinë e kombit tonë dhe një realitet i pranuar nga shumica e botës demokratike, prandaj pranojeni këtë realitet dhe veproni për shtetin e Republikës së Kosovës, sepse në fund Republika jonë do të jetojë për shumë mote mu për inati të “politikanëve” dhe armiqve të saj – e në të mirë të popullit tonë, miqve dhe partnerëve strategjikë që ishin me ne në këtë rrugëtim sa strategjikë po aq edhe historik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rritja e nivelit…