Vdekja e Ismail Kadaresë, Krasniqi: Lamtumirë, gjeneral i letrave shqipe!

01 korrik 2024 | 14:24

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

Krasniqi ka thënë se Kadareja ishte me shumë se një shkrimtar,  mishërim i krenarisë shqiptare.

“Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Lamtumirë, gjenerali i letrave shqipe!

Gjatë jetës, ndonjëherë mendojmë se disa nga personalitetet të cilat na kanë frymëzuar dhe që me veprimtarinë e tyre jemi rritur e formësuar – do t’i kemi pranë përgjithmonë. Megjithatë, ja që vdekja është e pamëshirshme dhe troket në derën e secilit – edhe të gjigantëve.

Ismail Kadare, me një stil krejt të veçantë dhe origjinal, ishte një gjigant i letrave shqipe. Një personalitet dhe një zë i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor.

Kadareja, mendja brilante pas veprave të përjetshme si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer” dhe dhjetëra veprave të tjera, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë botën letrare.

Shkronjat dhe fjalët e tij thurën mozaikun e ndërlikuar të shqiptarëve, duke sjellë në jetë betejat tona, triumfet tona dhe shpirtin tonë të palëkundur.

Megjithatë, duke na e thyer edhe korrikun, gjeneralin e letrave shqipe vdekja na e mori vetëm fizikisht. Ai, nëpërmjet rrëfimeve dhe veprave që la mbrapa, ka kapërcyer hendekun e kohës dhe fizikes, duke i takuar barasvlefshëm dhe përjetësisht të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë.

Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore.

Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë.

Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë. 🌹

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dënuarve ukrainas u ofrohet liria në këmbim të shërbimit…