Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Ismail Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e jona

01 korrik 2024 | 14:30

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Kjo akademi ka theksuar se Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.

“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”.

“Fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Evropë e në botë (‘International Booker Man Prize’, ‘Prince of Asturias Award’, ‘Jerusalem Prize’, ‘Neustadt International Prize’, ‘Nonino’, ‘Park Kyong-ni’); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet; shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që e mbushi me kuptim dhe e lartësoi këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe”.

“Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik ‘Doctor Honoris Causa’. Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Helenës dhe dy vajzave, Gresës e Besianës; lexuesve e studiuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë, miqve, admiruesve dhe simpatizantëve të veprës së tij. Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë botës”, ka njoftuar Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë persona janë plagosur në një sulm me acid në…