Si funksiononte UÇK-ja sipas Bislim Zyrapi?

02 korrik 2024 | 14:16

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, për ditën e dytë me radhë po e vazhdon dëshminë e tij në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Hagë.

Zyrapi ditën e parë është pyetur për disa prej figurave të UÇK-së, përderisa ditën e sotme i janë shfaqur fotografi nga takime të ndryshme të shtabit të përgjithshëm.

Zyrapi ka përshkruar në detaje gjithë strukturën organizative të UÇK-së. Ai ka thënë se pozitën e zëvendëskomandantit e kishte marrë Jakup Krasniqi.

“Pas takimit me komandantët e zonave dhe marrja e raporteve nga ata, është bërë raporti përmbledhës dhe i është dorëzuar zëvendëskomandantit. Në atë kohë më së shumti ka qenë Jakup Krasniqi”.

“Është urdhër që është dhënë se si të referojnë ose të raportojnë komandantët e zonave kur vijnë në takimet me Shtabin dhe se çfarë duhet të mbajë ai raport”, ka thënë dëshmitari Zyrapi, raporton “Nacionale”.

Zyrapi më tutje ka bërë përshkrimin e disa prej njësive, batalioneve e kompanive të tjera brenda UÇK-së. Për këtë, ai është përballur edhe me dokumente të ndryshme.

“Batalioni vëzhgues, policia ushtarake pranë shtabit të përgjithshëm dhe kompania e logjistikës së Shtabit të Përgjithshme. Këto janë tri njësi që kanë qenë njësi vartëse të shtabit të përgjithshëm”, ka thënë Zyrapi.

Më pas, ai ka bërë përshkrimin e secilës prej këtyre njësive.

“Logjistika ose njësia e logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm, ka qenë ta mbështesë Shtabin për të gjitha pjesët logjistike, ushqime, veshmbathje, strehime e shumë tjera për pika kyçe”.

“Policia ushtarake ka pasur detyrë të ruajë shtabin e përgjithshëm, objektet e saj, t’i përcjellë lëvizjet e Shtabit të Përgjithshëm. Kryesisht është siguria e shtabit të përgjithshëm”.

“Njësia e vëzhgimit është njësia pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe kjo njësi është që vëzhgon territorin komplet të Kosovës si në vëzhgimin e lëvizjes së forcave serbe në tërësi”, ka thënë Zyrapi.

Ai ka mohuar që kjo njësi të jetë marrë me ndalime apo arrestime.

“Se kjo është njësi vëzhguese, Njësi që reagon në reagime të shpejta. Nuk është njësi që merret me çështjen e arrestimeve për arsye se është përdorur në këto njësi”.

“Kjo njësi, në qoftë se flasim për vetë njësinë është tjetër. Kjo nuk ka pas të drejtë as të izolojë, vetëm është përdorë në qoftë se grupet ose palët që është dashur të merren masa ndaj tyre kanë pas armë dhe kanë përdorur armët, atëherë kjo ka mujtë të përdoret si njësi”, ka thënë Zyrapi.

Ai ka treguar se kush është marrë me masa disiplinore ndaj pjesëtarëve të ndryshëm, që potencialisht mund të kenë bërë shkelje.

“Në këto rrethana, se është njësi e shtabit të përgjithshëm dhe çdo masë disipline ndaj tyre për moskryerjen e detyrave të tyre mund të merren masa nga sektori i juridikës që gjendet pranë shtabit të përgjithshëm”, ka thënë Zyrapi.

Prokuroria e Specializuar ka tentuar që nga fillimi i procesit që ta prezantojë UÇK-në si një ushtri me structure, e të organizuar mirë.

Dëshmitari Zyrapi po dëshmon me avokat, pasi rrezikon ta inkriminojë edhe veten gjatë dëshmisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Influencerja e njohur Sarah Berisha ishte e ftuar mëngjesin e…