Kadare dhe Kosova

03 korrik 2024 | 16:45

Akademik Mehmet KRAJA

(Fjalë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore për Kadarenë)

Të nderuar miq, akademikë dhe të tjerë të pranishëm,

Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë ka një kuptim më specifik: ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë që ai i ka bërë Kosovës në më shumë se 50 vitet e shkuara.

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare.

Por nuk është vetëm kjo.

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës.

Në këtë pikë, Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues.

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm.

Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës.

Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.

Por duhet thënë, gjithashtu, se Kadare i ka dhënë Kosovës edhe mbështetje letrare, krahas mbështetjes politike. Sjell në vëmendje poezinë “Kosova” të vitit të largët 1966, pastaj romanet “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Tri këngë zije për Kosovën”.

Botimi i romanit “Krushqit janë të ngrirë”, pas vizitës që ai i bëri Kosovës më 1980 dhe pas ngjarjeve të mëdha politike të vitit 1981, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, me një anë dhe, me anë tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm.

Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura, ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën.

Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali do të barazojë ofertën e Chelseat për sulmuesin e…