Lideri autoritar bjellorus nënshkruan dekret për amnisti masive

03 korrik 2024 | 16:49

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, e ka nënshkruar një dekret për amnisti masive me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Bjellorusisë nga Gjermania naziste, raportuan mediat shtetërore të mërkurën.

Amnistia do të vlejë për 7.850 të dënuar me burgim, prej të cilëve 2.090 do të lirohen nga burgu. Tetëqind të dënuar me kusht do të falen, ndërsa 40 të arrestuar do të lirohen. Dënimet me burgim të 260 njerëzve do të zëvendësohen me aktvendime si, lirimi me kusht, derisa 4.550 të dënuarve do t’iu shkurtohen dënimet për nga një vit.

Më 2 korrik, Lukashenka publikisht tha se mund të lirohen nga burgu disa prej atyre që po vuajnë dënime për shkak se morën pjesë në protestat masive të vitit 2020 kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale, i cili i dhuroi fitoren atij.

Por, Lukashenka theksoi se kryesisht do të lirohen “ata të cilët janë të sëmurë rëndë, kryesisht njerëzit me kancer”.

Deri më 3 korrik, në Bjellorusi janë 1.409 të dënuar politikë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut. Por, numri i saktë i të dënuarve për motive politike mund të jetë më i lartë.

Grupi për të drejtat e njeriut, Vyasna tha më herët se deri më 1 maj, në Bjellorusi ishin së paku 254 të dënuar politikë në gjendje të rëndë shëndetësore, apo me aftësi të kufizuara.

Dekreti i Lukashenkas thekson se “amnistia nuk do të vlejë për njerëzit e përfshirë në veprimtari terroriste apo ekstremiste”.

Prej protestave masive të vitit 2020 kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale, i cili sipas shumë njerëzve në Bjellorusi dhe jashtë saj ishte i kurdisur, autoritetet bjelloruse i shtuan më shumë se 4.000 njerëz në regjistrin e ekstremistëve.

Shërbimi sekret i Bjellorusisë i ka shtuar më shumë se 400 njerëz në listën e “terroristëve” prej atëherë.

Lukashenka, 69 vjeç, është në pushtet në Bjellorusi prej vitit 1994. Ai e ka shtrënguar kapjen e vendit prej zgjedhjeve të gushtit 2020, duke arrestuar – nganjëherë dhunshëm – më shumë se 35.000 njerëz.

Shumica e pjesëtarëve të opozitës bjelloruse ka ikur nga vendi nga frika për sigurinë e vet.

Perëndimi nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk e pranon Lukashenkan si liderin e ligjshëm të vendit.

Shumë vende kanë vendosur sanksione kundër regjimit të Lukashenkas si përgjigje për shtypjen e kundërshtarëve në vend. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 05.07.2024 Punime të…