Partnerë në krim

04 korrik 2024 | 08:47

Një çerek shekulli më parë, Vladimir Putini fluturoi drejt Phenianit, për të firmosur një “traktat miqësie” me Kim Jong-il, që ndihmoi në ringjalljen e marrëdhënieve të Rusisë me Korenë e Veriut pa i detyruar të dyja palët t’i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës në rast të një sulmi ushtarak.

Me vizitën e tij të fundit, Putini ka shkuar më tej, duke firmosur një marrëveshje me Kim Jong-un që kujton paktin e sigurisë të vitit 1961, firmosur nga Bashkimi Sovjetik, gjatë Luftës së Ftohtë.

Por sot Rusia është e përfshirë në një luftë të nxehtë në Ukrainë, të cilën Putini e ka bërë prioritet të politikës së tij të jashtme, dhe një Kore e Veriut bërthamore është shndërruar në një litar shpëtimi për ushtrinë e tij, sa i përket municioneve.

“Traktati që Putini firmosi me Kim Jong-un ishte një rikthim në luftën e ftohtë, por sigurisht në luftën e ftohtë Koreja e Veriut nuk kishte armë bërthamore”, thotë Dr. Edward Howell, bashkëpunëtor i Chatham House.

Edhe pse samiti i javës së kaluar kishte vite që përgatitej, ai shënoi një pikënisje në marrëdhëniet e Rusisë me Korenë e Veriut dhe zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se mund të destabilizojë ekuilibrat në rajon.

“Rusia ka shprehur tashmë edhe me shkrim, se sa e gatshme dhe e përkushtuar është për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të saj me Korenë e Veriut,” thotë Jamie Kwong, bashkëpunëtor në programin e politikës bërthamore në Carnegie Endowment for International Peace. Kim i shihte gjithë admirim teknologjinë hapësinore ruse dhe avionët luftarakë gjatë një samiti vitin e kaluar me Putinin, në lindjen e largët të Rusisë, dhe lista e tij e dëshirave mund të përfshijë teknologji që do të ndihmonin programet hapësinore dhe raketore të Koresë së Veriut, si dhe mbështetjen ekonomike dhe energjetike.

Qëllimi i menjëhershëm i Putinit është të zhvillojë një partneritet që ka furnizuar miliona predha artilerie, si dhe raketa balistike, të nevojshme për luftën e tij në Ukrainë. Por rrënjët e marrëdhënies shkojnë më thellë: të dy udhëheqësit janë rreshtuar në një koalicion gjithnjë e më anti-perëndimor dhe duken gjithnjë e më injorues ndaj kërcënimeve perëndimore.

Imazhi i Putinit – i cili dikur takonte rregullisht liderët amerikanë dhe evropianë – duke fluturuar për në Phenian, për t’u nderuar nga Kim ishte mbresëlënës. Putini i dha Kimit një limuzinë të dytë Aurus të prodhuar nga Rusia, në një refuzim simbolik të sanksioneve që të dy palët kanë shkelur. “Dy udhëheqësve thjesht nuk u bëhet vonë,” tha Howell. “Tek Kim Jong-u, ai thjesht sheh një partner që është po aq delikuent sa ai.”

Zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s kanë shprehur shqetësim për mbështetjen e mundshme për programet raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut. Një kopje e traktatit të publikuar nga Koreja e Veriut rendiste në mënyrë eksplicite bashkëpunimin për “energjinë bërthamore paqësore”, ndërsa zyrtarët amerikanë i thanë NBC News se Rusia do të ofronte gjithashtu teknologji për të ndihmuar programin e nëndetëseve atomike të Koresë së Veriut.

Por analistët thanë se fusha e mbështetjes për programin bërthamor ushtarak të Koresë së Veriut mund të mbetet e kufizuar, pjesërisht për shkak se Rusia është hezituese për ndarjen e teknologjisë së ndjeshme.

Disa nga aspektet më shqetësuese të marrëveshjes janë më konvencionale: raportohet se tregtia në rritje e armëve midis dy vendeve mund të trimërojë Korenë e Veriut dhe të komplikojë planifikimin e luftës perëndimore në rastin e një konflikti të hapur në gadishullin Korean.

Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA, tha se ofrimi i armëve ruse për Phenianin “do të destabilizonte gadishullin Korean, natyrisht, dhe ndoshta … do të shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që vetë Rusia i ka mbështetur”.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dhe ministria e jashtme e Koresë së Jugut thanë se traktati midis Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën një “kërcënim serioz” për paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean. Blinken tha se SHBA do të konsideronte “masa të ndryshme” në përgjigje të paktit.

“Ka shumë gjëra që Rusia mund t’i japë ende Koresë së Veriut në këtë moment, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm aftësinë e Koresë së Veriut për të rindërtuar kundërpërgjigjen e saj konvencionale ushtarake,” tha Ankit Panda, bashkëpunëtor në programin e politikës bërthamore në Carnegie Endowment for International Peace.

Ai beson se rusët do të jenë të gatshëm të ndihmojnë Korenë e Veriut të përmirësojë aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore, të furnizojë pjesë këmbimi dhe mirëmbajtjen e forcës ajrore të vjetëruar, si dhe të ndihmojë në modernizimin e marinës, duke përfshirë teknologjinë për nëndetëset bërthamore. Kjo do të “ndërlikonte në mënyrë thelbësore planifikimin për aleancën SHBA-Kore e Jugut, e cila do të mbështeste objektivat strategjike të Rusisë dhe Koresë së Veriut”, tha Panda.

Marrëveshja tashmë ka çuar në një përplasje të nxehtë mes Rusisë dhe Koresë së Jugut. Seuli javën e kaluar tregoi se mund t’i sigurojë Ukrainës armë vdekjeprurëse. Putini, nga ana tjetër, paralajmëroi se ky do të ishte një “gabim i madh” dhe se Moska si përgjigje mund të marrë “vendime që nuk kanë gjasa të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut”.

Marrëveshja shihet gjithashtu si një dhimbje koke për Kinën, e cila është e kapur mes shqetësimeve për konkurrencën për ndikim në Korenë e Veriut dhe mundësisë që SHBA të zgjerojë mbështetjen e saj ndaj Koresë së Jugut si pasojë. Xi Jinping mund të kërkojë një samit me Kim deri në fund të vitit, tha Hoëell.

Takimi shënoi gjithashtu një pikë të re të ulët në përpjekjet ndërkombëtare për nxitjen e mospërhapjes bërthamore, dikur një fushë e rrallë bashkëpunimi midis Rusisë dhe SHBA-së.

Edhe në vitin 2017, pas aneksimit të Krimesë dhe akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane, SHBA-ja sërish e bindi Rusinë të votonte për sanksione të reja të OKB-së kundër Koresë së Veriut, megjithëse i zbuti ato.

Ato ditë tashmë kanë ikur.

“Marrëveshja dërgon edhe një sinjal tjetër se Putini është i gatshëm të vendosë luftën kundër Ukrainës mbi të gjitha interesat e tjera, duke përfshirë promovimin dhe mbrojtjen e regjimit të mospërhapjes bërthamore – një regjim për vendosjen e të cilit, Bashkimi Sovjetik ndihmoi që në krye të herës”, thotë Kwong. / The Observer – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gati dy mijë qytetarë në katër komunat në veri të…