Luftëtari i 129 plagëve hesht, sepse i mjafton ta shohë atdheun e lirë

04 korrik 2024 | 09:50

Afrim Hysenaj

Me bashkëfshatarin dhe bashkëluftëtarin tim Arben Xhemajli, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi”, i cili që nga pas lufta jeton dhe vepron në Francë, u takuam dhe e kujtuam luftën. Ai shkoi atje jo me dëshirë, por e detyruan plagët e rënda në trup. Kishim kohë që nuk ishim parë. Çmallja e bisedat mes nesh s’kishin të sosur. Biseda na ktheu në retrospektivë.

Thënia se “thjeshtësia i bënë njerëzit e mëdhenj” është me se e vërtetë. Si shoqëri zakonisht pas vdekjes, shkruajmë për njerëzit që ia kanë falë jetën atdheut. Por ky burrë në foto është hero i gjallë, që vetëm fuqia e Zotit dhe dashuria për atdheun, ia kanë dhënë forcën për t’u bërë ballë plagëve dhe për të jetuar pas luftës.

Në frontin-pritën te “Gojfilat”, në shtatorin e vitit 1998, në mes fshatrave Abri dhe Tërdec, në një afërsi deri në 3-4 metra përballet me forcat paramilitare dhe ushtarake serbe në mbrojtjen e popullatës civile, që ishte e strehuar në fushat, malet dhe lugjet e fshatit Tërdec. Së bashku me të ishin edhe tre dëshmorët e rënë atë ditë, në atë pritë-front që ua kishin zënë forcave armike.

Ishte i vëllai Valdeti, së bashku me mësuesin Vesel dhe me Afrimin, që të tre të rënë dëshmorë atë ditë.

Aty ishte zhvilluar luftë që vështirë ta imagjinojë ndonjë skenarist apo regjisor filmash. Përshkrimin që e bën Arbeni… të rrëqethë e të bën të kuptosh se sa e madhe është dëshira për jetën dhe lirinë.

Në mesin e shumë granatave të hedhura nga armiku, shumica e tyre u kthehen mbrapa forcave serbe, me zhdërvjelltësinë e këtyre luftëtarëve. Dy herë radhazi forcat armike me helikopter detyrohen t’i bartin kufomat e pjesëtarëve të tyre.

Një nga granatat shpërthen dhe copat e saj në 129 vende e godasin trupin e njomë të 19-vjeçarit.

129 copave të granatave u mbijetoi Arbeni.

129 herë u vra, të 130-n u ringjallë si feniksi… vetëm luftëtarët e mëdhenj e kanë modestinë e madhe. I tillë është edhe Arben S. Xhemajli, i cili kishte vetëm 19 vjet kur u rreshtua ushtar në Brigadën 113 “Muj Krasniqi” të UÇK-së.

Ai hesht sepse atdheun e do jo për emër, por veç ta shohë të lirë. Fatbardhësisht, sot është i gjallë dhe në mesin tonë, edhe pse plagë të tjera… ka marrë gjatë luftës me rastin e pritës, ku ranë dëshmorët Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj në majin e vitit 1999.

Nuk e shfaqa gjithë letërnjoftimin e këtij luftëtari. Ndoshta as pesëpërqindëshin e tij, por të tillëve u kemi borxh të kujdesemi ne bashkëluftëtarët, shoqëria, të shkruajmë për ta dhe t’ua bëjmë jetën më të lehtë, t’ua japim vendin, vlerën dhe respektin që e meritojnë.

Lufta e zhvilluar aty, rënia e shokëve dëshmorë, plagët e marra, humbja e vëllait, përballimi me plagët dhe shërimi i tyre, a do të mjaftonin në një libër apo në një film?!

Janë njerëzit që bëjnë histori dhe historia duhet të shkruhet ashtu siç është, origjinale.

Beni, siç e thërrisnim në luftë, sot pati një intervenim kirurgjik në kurimin e plagëve të marra në luftë, aty ku jeton në Francë. Falë Zotit i përballoj me sukses intervenimit.

Faleminderit për gjithçka dhe për të gjitha, Ben!

Qëndro i fortë siç ishe në luftë. Paç fatin e mirë aty ku jeton! U pafshim së shpejti në atdhe!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të…