Guvernatori i BQK-së merr pjesë në tryezën e nivelit të lartë në projektin “We Lead” të financuar nga BE-ja

04 korrik 2024 | 13:55

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë si folës në tryezën e nivelit të lartë të projektit rajonal “We Lead”, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe organizuar nga Qendra e Ekselencës në Financa (CEF) në Lubjanë të Sllovenisë.

Kjo ngjarje mblodhi së bashku drejtues të institucioneve dhe guvernatorë nga rajoni për të diskutuar mbi kompleksitetin dhe sfidat me të cilat përballen institucionet e tyre, duke u fokusuar në zgjidhjet dhe praktikat më të mira.

Guvernatori Ismaili në këtë panel mori pjesë së bashku me zëvendëskryeministrat, njëherësh ministra të financave të Sllovenisë dhe Kroacisë, guvernatoren e Malit të Zi, zëvendësministrin e Financave të Bosnjë e Hercegovinës dhe një përfaqësues të Komisionit Evropian.

Gjatë kësaj tryeze, guvernatori Ismaili theksoi iniciativat strategjike të BQK-së për avancimin e proceseve të brendshme dhe forcimin e kapaciteteve të institucionit.

Në fjalën e tij, guvernatori Ismaili nënvizoi qasjen proaktive të BQK-së për zhvillimin e burimeve njerëzore, duke theksuar rëndësinë e veprimeve konkrete dhe investimeve në ndërtimin e aftësive specifike për bankat qendrore.

Ai nënvizoi përkushtimin e BQK-së për të nxitur rritjen dhe zhvillimin profesional përmes iniciativave dhe programeve të ndryshme të dizajnuara për ta pajisur personelin me ekspertizën e nevojshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prezantuesja e njohur e Big Brother VIP Albania, Arbana Osmani,…