Konjufca uron ShBA-në për 4 Korrikun

04 korrik 2024 | 15:36

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ditën e Pavarësisë.

Ai ka thënë se “ShBA-ja vazhdon t’i prijë përpjekjes së aleancës së demokracive për ta ruajtur idealin e lirisë dhe barazisë së popujve, në luftën e pakompromis kundër autoritarizmit dhe pushtimit”.

“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festë e popullit dhe shtetit amerikan, por dhe burim frymëzimi për këdo anembanë botës, shembull i idealit të lirisë, barazisë dhe e vullnetit të popull në të drejtën e vet. Është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj, kur kujtohen me respekt përpjekjet e atyre që me vendosmëri e sakrificë e mbajtën gjallë, deri në realizimin e tij, atë vizion çlirues që do të sillte përparimin më të jashtëzakonshëm brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe efekte të mëdha në mbarë botën. Në këtë frymë, por në një kontekst tjetër, ShBA-ja vazhdon t’i prijë përpjekjes së aleancës së demokracive për ta ruajtur idealin e lirisë dhe barazisë së popujve, në luftën e pakompromis kundër autoritarizmit dhe pushtimit.  Si popull dhe si shtet jemi të lumtur që i përkasim kësaj aleance demokratike, përkrah ShBA-së për të mbrojtur idealet dhe për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta. Popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara dua t’ua uroj nga zemra 4 Korrikun, këtë ditë të madhe të lirisë!”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Cristiano Ronaldo mund të hetohet nga UEFA për një…