KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

05 korrik 2024 | 12:38

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të premten se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë, shkruan Rel.

Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars. Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.

Beleri ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten.

Ai u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin.

Ai bëri thirrje që çështja e vlefshmërisë së mandatit të tij të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar, por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ t’i bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të verë në burg”, tha Beleri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut të Himarës, pas një kërkese të dorëzuar nga kryetari i forumit të të rinjve socialistë të Himarës.

Ekipi mbrojtës i Belerit ka një muaj kohë për t’u ankuar ndaj vendimit vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Beleri nuk u betua asnjëherë si kryetar i Himarës, pasi ndodhej në paraburgim dhe më pas u dënua. Beleri dhe ekipi i tij i kanë hedhur poshtë akuzat si “politike dhe të pabazuara”.

Dënimi i tij nxiti fërkime mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministria e Jashtme e Greqisë tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj atë kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh deputet.

Zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri, Getoar Mjeku, kanë…