IKD-ja: Rreth 113 mijë lëndë të pazgjidhura

05 korrik 2024 | 13:05

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm- (Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual).

Aty u tha se nga të gjeturat e raportit, Projektligji që synon të rregullojë të drejtën për qytetarët për një gjykim në kohë të arsyeshme ka shumë probleme, raporton Ekonomia Online.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se tek përgjegjësitë e gjyqtarit, Projektligji ka përcaktuar se “Në rastet e dështimit të gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës të veprimit në mënyrën dhe brenda afateve të parapara me këtë ligj përbën bazë për inicim të procedurës disiplinore në pajtim me legjislacionin përkatës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve”.

Shala tha se sipas këtij neni, gjyqtari mund të mbahet përgjegjës edhe pa fajin e tij. Kjo pasi në rastin konkret, Projektligji nuk i referohet fajit të gjyqtarit, por thjesht “dështimit” për të vepruar brenda afateve të përcaktuara me këtë ligj.

Ai tha se mund të ketë situata, kur gjyqtari ka “dështuar” për të trajtuar rastet brenda afateve të përcaktuara me ligj. Por, theksoi se ka mundësi që ky “dështim” të ketë ardhur si rezultat i rrethanave objektive, për shembull mbingarkesës së tij me lëndë, kompleksitetit të çështjes, mospërgjigjes adekuate nga ana e institucioneve të tjera, e rrethana tjera.

Andaj, Shala u shpreh se IKD-ja i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të rishqyrtojë nenin 8 të Projektligjit.

Në anën tjetër, hulumtuesi u shpreh se edhe neni 19 i cili përcakton se “1. Për të vendosur mbi padinë për kompensim të dëmit lidhur me shkeljen për gjykim të arsyeshëm është Gjykata Supreme”, e që sipas tij trajtimi i këtyre rasteve rrezikon të shkatërrojë Gjykatën Supreme.

Sipas këtij raporti, Shala tha se rritja e lëndëve deri në fund të vitit 2023 ka arritur kulmin.

“Në Gjykatat Themelore mbetën 112 mijë e 623 lëndë të pazgjidhura”, u shpreh Shala.

Sipas tij, një kohëzgjatje jo e arsyeshme cenon një prej kompetenteve kyçe të gjykimit të drejtë, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor, për të cilën tha se IKD-ja në vazhdimësi ka ngritur si shqetësim.

Shala tha se deri tani janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për të adresuar këtë problem. Megjithatë, deri tani nuk është shënuar progresi i kërkuar, veçanërisht në fushën civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Portugalisë, Nuno Mendes, doli në konferencë para ndeshjes…