Ndihmësi i Julian Nagelsmann ‘sherr’ me Anthony Taylor pas duelit Spanjë – Gjermani

06 korrik 2024 | 16:59

Gjyqtari anglez Anthony Taylor u largua me shpejtësi nga arena e Shtutgartit të premten pasi stafi i Gjermanisë reagoi me furi ndaj vendimit të tij për të mos dhënë penallti gjatë fitores 2-1 të Spanjës ndaj mikpritësve të Euro 2024, pretendojnë raportet në Gjermani.

Duke rezervuar vendin e tyre në gjysmëfinalen e së martës kundër Francës, Spanja e përjashtoi Gjermaninë nga turneu në kohën shtesë, falë golit të minutës së 119-të të Mikel Merino-s, pasi goli i vonë i Florian Wirtz në kohën normale barazoi shifrat pas atij të Dani Olmo-s.

Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi gjatë pjesës së parë të kohës shtesë, kur gjuajtja e Jamal Musiala nga distanca goditi në dorë mbrojtësin spanjoll Marc Cucurella.

Pavarësisht apeleve pasionante nga skuadra e Julian Nagelsmann, Taylor zgjodhi të mos jepte penallti në një vendim që u mbështet nga VAR-i i drejtuar nga Stuart Attwell.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, ndihmësi i trajnerit Nagelsmann, Sandro Wagner, u pa duke u futur në dhomën e zhveshjes së Taylor pas ndeshjes dhe u dëgjua duke fyer me zë të lartë gjyqtarin.

Megjithatë, burime pranë Taylor e mohojnë raportin. Raportet e afërta me Taylor kanë thënë se një bisedë ka ndodhur, por nuk ka pasur “shpërthime apo agresion të përdorur”. Në vend të kësaj, palët e përfshira në diskutim folën se pse nuk u dha penalltia.

Pak më shumë se një orë pas bilbilit të fundit, Taylor u fotografua me një Mercedes të zi duke dalë nga stadiumi. Gazeta gjermane “Bild”, qartazi e zemëruar me vendimin e Taylor, pretendon se arbitri “iku” nga stadiumi dhe theksoi se ishte “interesant” fakti që ai nuk qëndroi për të shpjeguar vendimin e tij.

Nagelsmann tha i tërbuar pas ndeshjes: “Nuk ishte e merituar sot dhe arbitri fryu pak në favor të Spanjës. Ishte një penallti e pastër”.

“Kur topi po shkon qartë drejt portës, spanjolli e ndal topin me dorë. Nuk e bën me qëllim, por kjo nuk ka rëndësi”.

“Penalltia që morëm kundër Danimarkës ishte shumë më pak penallti. Nuk mund ta kuptoj pse nuk u vlerësua, edhe pse u bënë 48 mijë përsëritje”, vijoi ai.

Në Gjermani tani bëjnë krahasime me zemërimin e Jose Mourinho-s ndaj Taylor pas humbjes së Roma-s në finalen e Europa League nga Sevilla në 2023.

Mourinho e quajti zyrtarin anglez një “turp” për marrjen e vendimeve dhe u përball me të në një sherr të jashtëzakonshëm në “Puskas Arena”.

Duke e pritur gjyqtarin në parkingun e makinave, Mourinho e quajti atë një “turp” përpara se të shkonte te minibusi i ekipit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hamasi ka pranuar propozimin amerikan për të filluar bisedime për…