Zana Spahiu emërohet U.D. e drejtoreshës së përgjithme të RTK-së

07 korrik 2024 | 13:30

Zana Spahiu është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorieshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës.

Pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt nga kjo pozitë, bordi drejtues i RTK-së në një mbledhje të sotme vendosi që Zana Spahiu ta ushtrojë këtë detyrë.

Spahiu është e diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2010 ajo punon në RTK si juriste, ndërsa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës ligjore të mediumit publik, duke arritur deri tash mbi 14 vjet përvojë pune në fushën ligjore.

“Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024 z. Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në komunikatën e bordit të televizionit publik.

Bordi i RTK-së e kishte emëruar Ahmetxhakajn fillimisht ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm më 19 janar 2022, e më pas ai ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i RTK-së në qershor të atij viti.

“Bordi i RTK-së falënderon z. Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm. Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, thuhet në komunikatë.

Bordi i RTK-së thotë se “do të vazhdojë të punojë në vazhdimësi për ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizimit të RTK-së”.

“Bordi i RTK-së do të vazhdojë përkushtimin për progresin në RTK dhe do të angazhohet në kryerjen e reformës në RTK”, thuhet në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca përgatitet për një gjysmëfinale të zjarrtë ndaj Spanjës në…