Hapet ekspozitë kushtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shkodër

07 korrik 2024 | 20:39

Në galerinë “ODA” të qytetit të Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Keep Calm and Smile” e fotografit nga Kosova Korab Basha. Ekspozita i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në kohën kur në botë dhe rajon janë shtuar tencionet dhe konfliktet, fotografi Korab Basha, përmes fotove të tij, hedh një vështrim në të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”, është ky lejtmotivi i ekspozitës së fotografit nga Kosova, Korab Basha, çelur në galerinë “ODA”, në qytetin e Shkodres. Janë 25 foto, bardh e zi, pjesë e ekspozitës së tretë personale të fotografit Basha, foto, të cilat i kushtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është një fotoekspozitë që shikon jo vetëm të sotmen, por dhe të ardhmen e Kosovës.

“E kam vlerësu të nevojshme që ushtrisë tonë, ushtrisë së Kosovës, me i dhuru një ekspozitë të tillë, djemve dhe vajzave që janë pjesë e një istitucioni që vlerësohet si më i besueshëm i Kosovës. Disa prej këtyre djemve dhe vajzave i kanë pasur të afërmit e tyre në Ushtinë Çlirimtare të Kosovës”.
Fotografi Basha, përmes fotografisë së tij, përpiqet të shikojë në thellësi të realitetit të sotëm në Kosovë, ndikimit që ka në jetën sociale të vendit të tij, por edhe të rajonit, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë kam dashur për të paraqitur pjesën artistike, pjesën humane, që këta njerëz t’i duan femijët kur i shikojnë, që ajo me qenë ushtri e fëmijëve tanë, e njerëzve tanë. Sepse kjo ushtri nuk i takon veç Kosovës”.

Për fotografen Rozafa Shpuza, në kohën kur në rajon dhe në botë tencionet dhe konfliktet janë shtuar, sjellja përmes fotografisë e të rinjve dhe të rejave të Kosovës, që shërbejnë në forcat e sigurisë, është një mesazh i rëndësishëm që përcjellet përmes aparatit fotografik Korab Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rassemblement National (RN), partia e ekstremit të djathtë e Marine…