Gjykata lëshon urdhër-arrest për Marko Roshiqin

09 korrik 2024 | 15:50

Marko Roshiq, njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është arratisur pas gati dy javë ditësh që kur i është shqiptuar vendimi.

Më 28 qershor, gjykata ka shpallë aktgjykimin në këtë çështje penale ku të akuzuarin Marko Roshiq e ka dënuar me 10 vite burgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se i akuzuari nuk ka qenë prezent as në shpallje të aktgjykimit dhe se pas marrjes së vendimit për caktim të paraburgimit, Roshiqi nuk e ka konfirmuar nëse e ka pranuar vendimin ose jo.

“I akuzuari M.R është njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes së aktgjykimit. I njëjti nuk ka qenë prezent në shpallje të aktgjykimit, pasi që nuk është obligative pjesëmarrja në shpalljen e aktgjykimit. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka mundur ta arrestojë, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit edhe përpos faktit se ka qenë i njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes. Me aktgjykimin e shpallur, gjykata i ka caktuar të akuzuarit M.R edhe masën e paraburgimit, ku po me datë 28.06.2024, ka marrë aktvendim të posaçëm me të cilin të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit. Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata përmes e-mail ia ka dorëzuar: Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit M.R (përmes postës). Të gjithë këta të apostrofuar kanë konfirmuar pranimin e vendimit, përpos për të akuzuarin M.R, nuk kemi ende konfirmim nga posta, nëse e ka pranuar vendimin apo jo”,  është thënë në përgjigjen e gjykatës për “Express”.

Gjykata ka thënë se pas informimit nga Policia Kosovës se nuk kanë mundur ta ekzekutojnë vendimin e gjykatës, menjëherë ka lëshuar urdhër-arrest për sigurimin e prezencës së të akuzuarit dhe dërgimin e të njëjtit në paraburgim.

“Tani rasti është me urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë”, ka bërë me dije gjykata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alvaro Morata është objektivi i parë në merkaton e Milanit…