Drejtorët e shkollave në veri merren në pyetje për ‘pengim të procesit të votimit’

09 korrik 2024 | 17:04

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë drejtorët e shkollave në komunat me shumicë serbe në veri për “pengim të procesit të votimit”.

Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit serb dhe drejtorët nuk lejuan që objektet arsimore të shfrytëzohen më 21 prill për votimet për zëvendësimin e kryetarëve të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaivq dhe Zubin Potok.

Për këtë shkak qendrat e votimit u hapën në vende alternative ose në kontejnerë.

Po njësoj u organizuan edhe zgjedhjet lokale në prill të vitit 2023, të cilat u bojkotuan nga partitë dhe votuesit serbë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se janë marrë në pyetje katër drejtorë shkollash dhe se nëntë të tjerë do të merren në pyetje.

Votimi për shkarkimin e kryetarit të komunës më 21 prill u mbajt në bazë të një Udhëzimi Administrativ të Qeverisë së Kosovës dhe pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare që të shpallen zgjedhje të reja në veri, pasi popullata serbe atje nuk pranon kryetarët shqiptarë.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën pasi Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – u bëri thirrje qytetarëve që të bojkotonin zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Ato zgjedhje u organizuan pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 me nismën e Listës Serbe, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja, mbështeti një peticion të qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Por, dy javë para mbajtjes së votimeve njoftoi se nuk do të merrte pjesë në proces.

Një nga arsyet e përmendura nga kjo parti ishte pretendimi se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Atëbotë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 33 institucione arsimore refuzuan të ofronin objektet e tyre për mbajtjen e votimit, pavarësisht faktit se “ligji i obligon komunat dhe drejtorët e shkollave që të ofrojnë objekte publike për qëllime të votimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian tha se ka ndalur procesin e pranimit të…