Osmani në Washington takim me Blinken, Kurti me Pecin i hipin kombajës në Bubavec të Malishevës

10 korrik 2024 | 20:04

Tash e dy ditë, Presidentja Vjosa Osmani ndodhet në Washington D.C, ku po merr pjesë në aktivitete të organizuara në kuadër të Samitit të NATO’s. Në margjina të këtij samiti, Osmani është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Presidentin e Bullgarisë, Dimitar Glavcheh, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, si dhe me senatorë dhe kongresistë. Osmani është duartrokitur nga Blinken, gjatë fjalimit që ai mbajti në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të cilin edhe e ftoi Osmanin, shkruan Reporteri.net.

75-vjetori i themelimit të NATO’s ka mbledhur në Washington liderët e të gjitha shteteve anëtare. Atje po qëndron edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka udhëtuar atje të hënën, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u mbajt në kuadër të Samitit të NATO-s. Samiti, që përkon me 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, ka nisur dje dhe do të përfundojë nesër.

“NATO është aleanca që na shpëtoi nga shfarosja dhe aleanca me të cilën do të përcaktohet fati i paqes dhe sigurisë për kontinentin tonë e më gjerë”, shkroi Osmani në llogarinë e saj në Facebook, të hënën.

Në margjina të këtij Samiti, Osmani u takua dje me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Madje, edhe u duartrokit nga i njëjti në fjalimin në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Jemi të lumtur që e kemi presidenten Osmani këtu. Presidentja Osmani ishte vendimtare në lansimin e kësaj inicaitive.”, tha Blinken në fjalën e tij.

Paraprakisht, Osmani zhvilloi një takim me Blinken. Në njoftimin për këtë takim, Osmani tha se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global.

“Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, shkroi Osmani.

Përveç Blinkenit, Osmani u takua atje edhe me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Me O’Brien, Osmani tha se ka folur për procesin e dialogut.

“Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi”.

Në margjina të këtij samiti, Osmani është takuar edhe me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe Presidentin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev. Me të dy, Osmani ka folur për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ndërkohë, sot e para e vendit është takuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, “për t’i koordinuar qëndrimet.

“Me Kryeministrin Edi Rama, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”, shkroi Osmani, duke njoftuar për këtë takim.

I fundit takim për të cilin ka njoftuar Presidentja është ai me senator e kongresistë, për të cilët tha se ishin zëri i popullit të Kosovës në kohët më të vështira.

“Në Ëashington D.C., në kuadër të 75 vjetorit të themelimit të NATO-s, i falënderova ata për kontributin e tyre përgjatë viteve, por edhe për përkushtimin e palëkundur për ta forcuar aleancën midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara! “, tha Osmani.

Për dallim prej Osmanit, Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Kosovë. Sot ai ka përcjellë nga afër fushatën e korrje-shirjeve, ku edhe i ka hipur kombajës në Bubavec të Malishevës.

Sipas Kurtit, këtë vit s’do të ketë nevojë për import të grurit.

“Nga korrje-shirjet sivjet, duket që prodhimi do të shtohet për 140 deri në 150 mijë tonë grurë, ndërkohë që më 2023 janë importuar 139 mijë tonë grurë. Pra, këtë vit, nuk do të ketë nevojë për import. Buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë. Për fermerët, bujqësinë e zhvilluar dhe bukën e mot-motit!”, shkroi Kurti.

Para rreth 10 ditësh, Kurti ishte në Greqi për të marrë pjesë në simpoziumin ndërkombëtar SYMI. Më pas shkoi edhe në Turqi, ku u takua me guvernatorin e Izmirit dhe Kryetaren e Komunës së Foçës. Reporteri.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur ish ishtari i UÇK-së, Naim Shala. I ndjeri…