Elektroseveri me kod postar të strukturave paralele, arsyetimi që dha ZRRE-ja

11 korrik 2024 | 08:46

E për lëshimin e faturave të energjisë në veri përgjegjës është kompania serbe, Elektrosever. Pavarësisht marrëveshjes me institucionet e energjisë kosovare, ata kanë përdorur vazhdimisht kodin postar të strukturave paralele që është “38220” si dhe termin “Kosovska Mitrovica” që bëjnë shkelje të marrëveshjes. Nga Elektroseveri nuk kanë kthyer përgjigje, mirëpo nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), si autoritet mbikëqyrës, kanë thënë se ato kanë qenë gabime teknike.

Kodi postar i strukturave paralele serbe gjendet në faturën e energjisë së Elektroseverit.

Madje, në shpërndarje të faturave të rrymës në katër komunat veriore tek qytetarët po shkruan edhe termi “Kosovska Mitrovica” që është term jokushtetues.

E me përdorimin e tyre, Elektroseveri po e shkel marrëveshjen me institucionet e energjisë në Kosovë.

Këtë ankesë e pati edhe zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi në takimin e kryenegociatorëve më 2 korrik në kryeqendrën evropiane.

Ai tha se ka dallime në qëndrimet mes BE-së dhe Kosovës në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për energjinë, duke thënë se autoritetet kosovare kanë “gjetur shkelje” tek Elektroseveri.

Tëvë1 ka tentuar të marrë një sqarim nga kjo kompani por ka qenë e pamundur.

Mirëpo Elektroseveri ka vendosur të i japë shpjegime Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Në një përgjigje, ZRRE-ja tha se Elektroseveri është arsyetuar me gabime teknike.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, ka marre informata se furnizuesi Elektrosever, ne faturat e energjisë elektrike te shpërndara tek konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë ne përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm ne Republikën e Kosovës. ZRRE-ja, menjëherë ka kërkuar informacion te detajuar nga Elektrosever. Lidhur me këtë, e ka sqaruar se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike, këto gabime teknike kanë ardhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te Elektrokosmet në bazën e re të shënimeve të Elektrosever. Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve nga Elektrosever”, kanë thënë nga ZRRE-ja.

E nga KEDS-i nuk kanë dhënë detaje, duke thënë se përgjigje merrni nga ZRRE-ja si autoritet mbikëqyrës.

Derisa pa përgjigje kanë qenë edhe nga Bashkimi Evropian, rreth pyetjeve se çfarë kanë ndërmarrë pas shkeljeve të gjetura për faturat e lëshuara nga Elektroseveri.

Kompania serbe Elektroseveri ka filluar shpërndarjen e faturave në veri nga fundi i shkurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djali i Nicolas Cage, Weston Cage Coppola, është arrestuar mes…