Arratisja, largimi dhe moskthimi në burg, kuptim dhe dallim përmbajtësor

11 korrik 2024 | 14:09

Reagim i KMDLNj-së

Ditë më parë lajmi kryesor i mediave ishte “arratisja” nga Burgu i Smrekonicës i të dënuarit Faton Hajrizi e që ishte arratisja e tij e 9-të. Burgu në Smrekonicë është burg i tipit të hapur ku nevoja për mbikëqyrje është thuaja minimale apo e panevojshme për faktin se aty të dënuarit kanë beneficione të mëdha dhe janë në prag të lirimit andaj nuk kanë asnjë arsye të largohen sepse shumë pak fitojnë me largim ndërsa i humbin të gjitha të drejtat dhe përfitimet që i kanë fituar me sjellje të mire. Me pak investime, Burgu në Smrekonicë ka mundur të bëhet model për vendet e Ballkanit dhe më gjerë po të ruheshin kriteret e mëparshme. Tash, sidomos gjatë katër viteve të fundit, këto kritere kanë degraduar shkaku i ndikimit politik apo korruptimit administrativ dhe aty janë transferuar të dënuar që me asgjë nuk i plotësojnë kushtet të jenë në Smrekonicë. Oficerët korrektues nuk mund të kundërshtojnë këto transferime prandaj edhe e pësojnë sikur me rastin e largimit të Faton Hajrizit me ç’rast u suspenduan dy oficerë, sipas KMDLNj krejtësisht padrejtësisht.

Vetëm në rast se dëshmohet se këta oficerë kanë ndihmuar në largimin e Faton Hajrizit, suspendimi konsiderohet i arsyeshëm. Faton Hajrizit i është dhënë mundësia nga SHKK të shfrytëzojë beneficionet, të përfitojë edhe nga lirimi i parakohshëm ndërsa, me largimin, jo arratisjen nga Burgu i Smrekonicës, me fajin ekskluzivisht të tij, me të drejtë i humbë të gjitha dhe kurdo që do të kapet nga organet e sigurisë do të dërgohet në institucion të mbajtjes së sigurisë së lartë, nën mbikëqyrje të shtuar dhe gjasat për rikthim të beneficioneve janë kurrfare hiç. Publiku duhet ta ketë të qartë se Faton Hajrizi ishte dënuar 6 vite për vrasje të një ushtari rus të KFOR-it, si 15-vjeçar ndërsa 16-17 vite të tjera të burgut thuaja 23 vjeçar i janë dhënë nga gjykatat për shkak të veprave të ndryshme penale të kryera gjatë kohës sa ishte në arrati.

KMDLNj kërkon që oficerët e suspenduar (nëse nuk kanë ndihmuar të dënuarin Faton Hajrizi të largohet nga Burgu i Smrekonicës) të kthehen në punë sikur që të bëhet një auditim i pavarur për të vërtetuar rastet kur të dënuarit janë transferuar në Burgun e Smrekonicës në kundërshtim me ligjin dhe kriteret e përcaktuara.

Edhe për rastet Enver Sekiraqa dhe Marko Rosiq, gjykatat nuk kanë përgjegjësi për moszbatim të vendimeve gjyqësore shkaku se të njëjtin janë larguar para se të bëhet ekzekutimi i masës së shqiptuar. Arratisja, largimi apo moskthimi në burg pas shfrytëzimit të fundjavës apo ndonjë përfitimi tjetër më së shumti i dëmton të dënuarit që e marrin këtë vendim dhe veprim. KMDLNj fton të punësuarit në SHKK të mos zbatojnë vendimet që janë në kundërshtim me ligjin e që kushtëzohen nga politika dhe politikanët sepse faturat do t’i paguajnë ata dhe jo politikanët dhe politika. Sikur deri më sot, SHKK dhe Paneli për Lirim me Kusht duhet të jenë të pavarura nga ndikimi i politikës dhe grupeve të interesit në ushtrimin e përgjegjësive të tyre që ua garantojnë ligjet në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me 59 vota për dhe dy abstenime, deputetët e pushtetit…