Shpallen të pafajshëm të akuzuarit për tentativën e grusht-shtetit në Mal të Zi më 2016

12 korrik 2024 | 13:24

Janë shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për tentativën e grushtit të shtetit në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në vitin 2016.

Kjo është vendosur nga Gjykata e Lartë në Podgoricë, ndërsa trupi gjykues prej tre anëtarësh i drejtuar nga gjyqtari Zoran Radovic, e ka justifikuar vendimin me faktin se sipas tij, “nuk kishte asnjë provë se të akuzuarit ishin fajtorë për veprat për të cilat ngarkoheshin, kështu që akuzat ndaj tyre rrëzohen”.

Kjo ua mundëson lirinë edhe shtetasve rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuar për organizimin dhe financimin e ndryshimit me dhunë asokohe të Qeverisë në Mal të Zi.

Në 2019-tën, një gjykatë në kryeqytetin malazez kishte shpallur fajtorë e kishte dënuar me gjithsej 69 vjet e shtatë muaj burgim, 14 persona të akuzuar për trazirat në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016.

Shishmakov dhe Popov, ishin dënuar në atë rast në mungesë me përkatësisht 15 dhe 12 vjet heqje lirie, raporton “Top Channel”.

Podgorica zyrtare i pati akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.

Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska ka hedhur poshtë mundësinë që “mekanizmat shtetërorë rusë”,  të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lamine Yamal po shkëlqen në “Euro 2024”. Talenti i Barcelonës…