Vlerësohet puna e stacioneve policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit

12 korrik 2024 | 15:05

Në mbështetje të detyrave dhe përgjegjësive që ka drejtori Rajonal i Policisë, nënkoloneli Faton Pllana ka thirrur në takim shefat e sektorëve rajonal dhe komandantët e stacioneve të policisë: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit.

Drejtori Rajonal i Policisë, nënkoloneli Faton Pllana para të pranishmëve ka prezantuar raportin gjashtëmujor të vitit 2024 të krahasuar me raportin gjashtëmujor të vitit 2023 dhe planifikimin e realizimin e objektivave për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.

Në këtë takim, veç tjerash Pllana vlerësoi dhe lavdëroi punën e mirë të secilit stacion dhe njësi rajonale gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 dhe ka inkurajuar të pranishmit që aktivitetet e policisë rajonale të shtohen edhe në pjesën e dytë të vitit 2024, duke i koordinuar punët.

Ai rekomandoi që të hartohen plane të nevojshme operative, karshi situatave të paraqitura dhe analizave të dala nga raporti gjashtëmujor.

Pllana përmendi edhe disa projekte dhe fushata vetëdijësuese që janë realizuar me komunitetin dhe rekomandoi që të vazhdohet me projekte dhe fushata të ndryshme në sensibilizimin e qytetarëve rreth dukurive negative në shoqëri.

Në këtë takim ai siguroi qytetarët e rajonit të Ferizajt se do të ndërmerren masa të nevojshme, duke shtuar prezencën policore në të gjitha stacionet e policisë së rajonit të Ferizajt.

Veç policëve me uniformë do të angazhohen edhe pjesëtarë të policisë me rroba civile dhe me automjete zyrtare civile, për të parandaluar veprat penale të incidenteve dhe të aksidenteve në rrugë.

Me këtë rast, ai ka ftuar qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth kriminalitetit në përgjithësi, por edhe të kundërvajtjeve në komunikacion, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dalë nga shtypi “Kumbime : një mozaik me poezi…