Avokati Bajraktari tregon problemet e Projektligjit për KPM-në

12 korrik 2024 | 16:12

Avokati Ardian Bajraktari ka përmendur problemet e Projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili dje është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka bërë me dije e projektligji në fjalë nuk është në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së.

Ai në “Facebook” ka shkruar për disa nga problemet e këtij ligji.

Sipas tij, cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme për kthim në rishqyrtim të ligjeve të miratuara.

“Rreth Ligjit të Komisionit të Pavarur për Media, tashmë të miratuar, krahas shumë aspekteve të diskutuara e shumë reagimeve, vlen të theksohet se me anë të Ligjit të ri, nga shumë ndryshime substanciale e që sipas vet nenit 2 të Projektligjit të miratuar thuhet se i njëjti është pjesërisht në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së, d.m.th. nuk është në përputhje. Po ashtu vlen të theksohet se është hequr mekanizmi përkatësisht Bordi i Ankesave që ishte paraparë me ligjin aktual, madje duke ja kushtuar një kapitull të tërë (kapitullin VI), ndërsa me draftin e miratuar, kjo çështje është hequr tërësisht, me çka bënë një devijim nga rregulli parimor i dyshkallshmërisë në procedurë administrative. Me këtë nënkupton se vendimet e Komision janë përfundimtare, në procedurë administrative, dhe ato mund të goditen vetëm me padi në gjykatë”, ka shkruar ai.

Në këtë kontekst, Bajraktari ka theksuar se kjo do të shkaktonte ngarkesë në punën e gjykatave.

“Heqja e Bordit të Ankesave, nënkupton që palët t’i drejtohen gjykatës, si me padi, ashtu edhe me propozim për masë të përkohshme, e kjo nënkupton, ndër të tjera edhe ngarkesë shtesë për sistemin gjyqësor, edhe ashtu të ngarkuar. Për më tepër, cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës, ku hynë edhe liria e mediave përmes të cilës garantohet liria dhe pluralizmi i mediave, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme përmes të cilës plotësohet standardi i përcaktuar me nenin 84 (Kompetencat e Presidentit), pika 6, sipas të cilës ndër të tjera përcaktohet se presidenti/ja ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajraktari.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea duhet të provojë dhe ta transferojë mesfushorin Granit Xhaka…