Kurti nënvizon marrëdhëniet e ngushta të Kosovës me Turqinë

15 korrik 2024 | 14:29

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Ambasada turke në Prishtinë me rastin e “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” të Turqisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka përkujtuar dëshmorët e demokracisë të cilët 8 vjet më parë, më 15 korrik 2016, i patën shpëtuar institucionet demokratike të shtetit të Turqisë të zgjedhura nga populli turk, nga një përpjekje e dështuar grusht-shteti.

“Mesnatën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016, populli i Kosovës ishte me popullin e Turqisë, sepse ne jemi dy popuj miq, shtetet tona janë partnere dhe aleate, kurse vendet tona ndajnë shumë të përbashkëta si nga e kaluara historike, ashtu edhe nga e tashmja e demokracive tona dhe e ardhmja e synuar prosperuese”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka nënvizuar marrëdhëniet e ngushta me Turqinë, si nga ana e rolit të Turqisë në NATO gjatë luftës në Kosovë dhe kontributit të ushtarëve turq në kuadër të trupave të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në Kosovë, e po ashtu dhe nga ana e lidhjeve e shkëmbimeve mes nesh.

Më tej, kryeministri ka folur për vizitat në Turqi dhe takimet me presidentin Rexhep Taip Erdogan, organizimin e forumit të parë ekonomik Kosovë-Turqi, teksa shkëmbimet tregtare pritet ta kalojnë shifrën 1 miliard euro, vizitën në kompaninë e industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit “Baykar”, prej nga kemi blerë fluturaket luftarake dronët “Bajraktar TB-2” për ushtrinë dhe kontributin historik e aktual të diasporës shqiptare në Turqi.

“Janë gjithë këto interesa dhe vlera të përbashkëta që na mbajnë të lidhur dhe në raporte miqësore dy vendet tona. Duke i qëndruar pranë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin, ne i mbrojmë republikat tona dhe vlerat e përbashkëta demokratike”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të shënojë në “Paris 2024” përfaqësimin e saj…