KPK-ja: Qeveria injoroi propozimet tona për ligjin e ri

15 korrik 2024 | 15:31

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar opinionin publik se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024.

“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial. KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Megjithatë, KPK-ja është shprehur mirënjohëse dhe falënderuese në mënyrë të veçantë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile në vend, të cilët janë vënë në mbrojtje të këtyre parimeve.

“KPK-ja është mirënjohëse dhe falënderuese në mënyrë të veçantë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile në vend, të cilët u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial. Me këtë rast, KPK-ja është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, KPK-ja ka akuzuar pushtetin për ndërhyrje në sistemin prokurorial të Kosovës.

“Realisht, kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe joprokurorë, por që, në vetvete është tentim për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit dhe cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika. Përfundimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente, por njëkohësisht kërkon edhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çfarëdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi e pati një gëzim të dyfishtë mbrëmë. Ylli…