‘Novosti’ dhe mediumi rus dezinformojnë për helmimet e nxënësve shqiptarë gjatë ’90-ve

17 korrik 2024 | 09:06

Mediumi serb “Novosti” ka dezinformuar mbi helmimet e mijëra nxënësve shqiptarë gjatë vitit 1989/90, duke thënë se është një “sajesë” nga Qeveria e Kosovës. Mediumi konstaton se nxënësit nuk janë helmuar pa dhënë asnjë provë, ndërsa ekzistojnë shumë fakte që e dëshmojnë ngjarjen tragjike. Të njëjtin artikull dezinformues e ka publikuar edhe mediumi rus “RT Balkan”.

Çka raportoi Novosti?

“Autoritetet në Prishtinë duan të përfshijnë në regjistrin e viktimave aktorët e mashtrimit të drejtuar nga pranvera e vitit 1990. Prishtina me dekada nuk ka hequr dorë nga agjenda e sajimit të krimeve të ndryshme dhe atribuimit të tyre te serbët dhe tash e kanë këtë strategji në të cilën kategoria e “viktimave” duhet të përfshijë edhe “shqiptarët e helmuar” që gjoja helmuan strukturat serbe?! Asnjëherë nuk është vërtetuar që fëmijët shqiptarë janë helmuar, sepse nuk janë helmuar. Në pranverë, mars 1990, ata u sollën në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Prishtinë me pretendimin se ishin ekspozuar ndaj substancave toksike. Edhe pse fëmijët vinin nga shkolla të përziera, doli se vetëm shqiptarët ishin “helmuar”, dhe se serbët ishin rezistent”.

Në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 1989/1990 mijëra nxënës shqiptarë u helmuan  gjatë datave 21- 23 mars 1990 nga Shërbimi Sekret Ushtarak i Armatës Jugosllave dhe Sigurimi Shtetëror i Serbisë nisën një fushatë helmuese ndaj nxënësve shqiptarë që në këtë kohë mësonin ndaras me nxënësit serbë në qytetet si Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Mitrovicë, etj nga të cilat u helmuan afro 7000 nxënës shqiptarë nëpër shkolla të ndryshme. Ky helmim tek ata la efekte të dëmshme shëndetësore duke shkaktuar dhimbje koke, dhimbje barku apo edhe vjellje. Mjekët serbë konstatuan se nxënësit ishin helmuar, por pasi u kërcënuan nga regjimi serb, ata tërhoqën fjalët e tyre. Përveç kësaj mjekët serbë që punonin nëpër spitalet përkatëse refuzonin të i vizitonin nxënësit e helmuar.

Për këtë ngjarje u organizua një simpozium në Zagreb ku u prezantuan gjetjet dhe argumentet e krimit serb kundër të rinjve shqiptarë. Aty u tha se në Kosovë ndodhi induksioni psikik kolektiv.

“Novosti” ka ndjekur politikën mohuese të regjimit në Serbi për shtypjen, torturën e vrasjeve ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe para saj. Ky medium koment ngjarjen duke injoruar faktet që janë të dokumentuara. Gjithashtu, ky raportim është vazhdimësi e mohimit nga regjimi i asaj kohe.

Pas helmimeve të ndodhura në Kosovë, Beogradi zyrtar filloi një propagandë të egër ndaj shqiptarëve të Kosovës, posaçërisht ndaj personelit mjekësor shqiptar që kujdesej për të helmuarit, ndërsa atyre iu referuan si “Aktorë të Kanës”. /TheGeopost

Helmimet në Kosovë me gazra toksike në pranverën e vitit 1990, rezultuan si një doktrinë shfarosëse e përgatitur nga shërbimi sekret ushtarak serb, ku u helmuan me mijëra të rinj, kryesisht nxënës e në mesin e tyre kishte edhe foshnja në entet parashkollore.

Në marsin dhe prillin e vitit 1990, më shumë se 7 mijë fëmijë shqiptarë të shkollave të Kosovës kërkuan ndihmën mjekësore nëpër qendrat mjekësore të Kosovës dhe ambulanca të improvizuara me shenja helmimi. Mjekët serbë në disa spitale refuzonin që të pranonin fëmijët e helmuar.

Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte “një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë”.

Në kronikën “Helmimet masive të 90-s: krimi që nuk u dënua kurrë” që do të transmetohet të hënën në emisionin “SOT” rrëfejnë ata të cilët ndihmuan fëmijët në kushtet që kishin dhe nuk dinin se si të shpëtonin rininë kosovare.

Sinan Rizvanolli, epidemiolog rrëfen për Kohavisionin detaje për këtë ngjarje. Ai edhe sot i ka të dokumentuara problemet që kishin pasur nxënësit e fjalët që kishin folur ata.

Po ashtu në kronikën e saj flet edhe biokimisti Bujar Domi, i cili kujton se si nuk kishin pasur laboratorë përkatës për të vërtetuar se me çfarë ishte bërë helmimi i nxënësve dhe analizat ishin dërguar në Kroaci, Angli e Francë.

Siç shpjegohet në kronikë, shumë prej analizave gjatë rrugës nuk kanë arritur në institucionin që i kishte kontaktuar për shkak se forcat serbe nuk kishin lejuar që ato të vërtetoheshin.

“Në këtë material nuk mungojnë as detajet për simpoziumin e mbajtur në Kroaci, në të cilin ishin mbledhur qindra ekspertë nga shumë vende”, shpjegon gazetarja Ardiana Shala.

“Kosova, sprovë e ndërgjegjes mjekësore” ishte titulli i simpoziumit të mbajtur më 2 qershor të vitit 1990 në sallën “Drustveni Dom” në Kaptol. Simpoziumi ishte organizuar si përgjigje ndaj dy raporteve federative, që ishin përpiluar për helmimet në Kosovë. Në këto dy raporte, nga dy komisionet federative të RSF të Jugosllavisë, që punuan në këtë çështje, thuhej se nuk është zbuluar shkaktari i cili kishte mundur të shkaktonte “fenomenin e helmimeve” në Kosovë, apo më mirë të përdoret termi tjetër zyrtar i tyre “shqetësime shëndetësore”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 60 palestinezë në…