Ka përkeqësim enorm të buxhetit, nuk e di ku po i marrin shifrat e rritjes së pagave

18 korrik 2024 | 08:30

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se investimet kapitale në tri vitet e fundit të kësaj qeverie janë në nivelin më të ulët historikisht.

Ai ka theksuar se qeveria ka dyfishuar subvencionet, ndërsa ka përgjysmuar investimet kapitale në buxhetin total, për të cilin tha se ka shkaktuar një përkeqësim të dukshëm të situatës buxhetore në vend.

“Nëse e shihni investimet kapitale në tri vitet e fundit dhe gjatë këtij viti investimet kapitale nivelin më të ulët historikisht. Ajo që mua më shqetëson edhe si deputet edhe si ekonomistë se si reflektohet ndikimi i shtetit përmes buxhetit në ekonomi, është përkeqësimi i strukturës së buxhetit, sepse pjesëmarrje e investimeve kapitale në buxhetin total ka rënë dukshëm, gati është përgjysmuar krahasuar me qeveritë e kaluara. Ajo që ka ndodhur me këtë buxhet është ndërrim komplet i raporteve, gati është dyfishuar pjesëmarrja e subvencioneve në buxhetin total dhe është përgjysmuar pjesëmarrja e investimeve në buxhetin total. Pra është përkeqësim enorm i buxhetit të shtetit”, ka thënë ai.

Hoti, i cili aktualisht është deputet i LDK-së, ka thënë se nuk janë të vërteta deklarata e qeveritarëve se ka pasur rritje të pagave, ai ka theksuar se po të pyeten 85 mijë punëtor që janë në sektorin publik do të thonë që vlera reale e pagave që marrin është dukshëm më e vogël.

Ai ka shtuar se rritja e inflacionit gjatë vitin 2022-2023 nuk është reflektuar në pagat e të punësuarve.

“Unë nuk e di ku po i marrin atë shifra të rritjes së pagave nëse i del dhe i pyet 85 mijë persona që janë në sektorin publik jam i bindur që pa përjashtim të gjithë do t’iu thonë që vlera reale e pagave që marrin është dukshëm më e vogël. Ka pasur një inflacion të madh në vitin 2022 është përcjellë me një inflacion pak më të moderuar në vitin 2023 kjo nuk është reflektuar në pagat e të punësuarve. Një ligj që është miratuar në fund vitit 2022 i ka indeksuar vetëm kontratat për investimet kapitale për firmat private, për të mbrojtur firmat private nga inflacioni ato firmat të cilat kanë kontratë me shtetin. Por jo edhe të punësuarit ose grupet e tjera që përfitojnë nga buxheti i shtetit. Janë fakte janë evidencë”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se të gjitha projektet madhore të premtuara nga kjo qeveri ose nuk kanë nisur fare ose kanë mbetur ashtu siç kanë qenë në qeverinë paraprake.

Ai ka shtuar se qeveri nuk ju ka qëndruar afër qytetarëve në krizën më të madhe të inflacionit dhe krizën ekonomike më të cilën ata janë përballur.

“Kjo mund të shihet praktikisht të gjitha projektet madhore gjithandej nëpër Kosovë, ose nuk ka nisur fare ose kanë mbetur ashtu siç kanë qenë në qeverinë paraprake ose janë tek tash në vitin e katër të qeverisjes ka filluar të punohet. Shifrat janë kokëforta, ato tregojnë realitetin të merren me konsideratë ato deklarime sepse ballafaqimet e vazhdueshme që i kemi në Komisionin për Buxhet ose në Kuvend ka një tendencë të shtrembërimit të realitetit. Në dy vitet e fundit për shkak të rritjes enorme të inflacionit pagat nuk janë të mjaftueshme për qytetarët. Ne kemi bërë kërkesë të vazhdueshme kemi insistuar vazhdimisht në Kuvend si parti opozitare, në vitin 2022 dhe2023 është indeksimi i pagesave që bënë shteti për grupet e caktuara të qytetarëve, indeksimi për normën e inflacionit siç kanë bërë shumica e shteteve evropiane, jemi përballë me një krizë të inflacionit dhe krizë ekonomike që ndodh shumë rrallë një krizë e tillë. Fatkeqësisht kjo Qeveri nuk iu ka qëndruar afër qytetarëve në krizën më të madhe, përjashto një ndihmë të njëhershme e cila nuk e zgjedh problemin as për një javë sa i përket konsumit të familjeve” ka thënë ai për EO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…