Mbi turizmin në Shqipëri, patriotët kujdestarë, për ata që e duan me zemër dhe ata që e shohin dhe e ndjenjë nga distanca vlerën e turizmit

18 korrik 2024 | 12:10

Nga Musa Sabedini

Ditëve të fundit është bërë çështje problematike krejt e panevojshme dhe madje për mua humbje kohe, mbi turizmin në Shqipëri, mbi propagandat e ulëta dhe mbi gjendjen reale në Shqipëri, dhe mbi faktet e pamohueshme që Shqipëria në të ardhmen duhet të përballet me gjendjen reale. Meqë brenda vitit sigurisht frekuentojë mbi 12 herë në bregdetin shqiptar, e njoh mirë situatën atje dhe asnjë lajm, kronikë, apo dokumentar nuk mund ta dëmtojë apo pengoj shkuarjen e kosovarëve në Shqipëri. Kosovarët mund të pengohen, dëmtohen, torturohen vetëm nga sjelljet e vendasve, çmimet e pakontrolluara dhe lojërat e shpeshta me ndjenjat e pushuesve. Pra, Shqipëria duhet ta ndryshojë strategjinë mbi turizmin, sidomos ndaj kosovarëve sepse nëse njëherë e ke mashtruar apo gënjyer kosovarin, ai nuk të harron lehtë ose anasjelltas. Vëllezërit tanë në Shqipëri duhet ta kuptojnë se ne bëjmë nga 4 deri në 8 orë rrugë të lodhur e me rreziqe të shumta për ta shijuar ujin e ngrohtë të bregdetit shqiptar. Liberalizimi i vizave e ka frenuar në një masë të madhe frekuentimin masiv të kosovarëve drejt bregdetit shqiptar, por kjo nuk zgjatë shumë sepse vlerat që i ka deti i Shqipërisë nuk i ka asnjë vend përreth. Krejt çka duhet të investohet nga shteti shqiptar është cilësia, vlera dhe mikpritja më e ngrohtë për pushuesit kosovar. Kjo nuk do të thotë se ka munguar ose mungon mikpritja, por koha e sezonës kërkon një përkushtim dhe përgjegjësi më të avancuar, kundrejt kërkesave të pushuesve kosovar.

Politikan, gazetar, qytetar, vëzhgues pasiv, komentues të kot në rrjetet sociale e të tjerë, ditëve të fundit janë marrë me një fenomen, që në dukje të parë duket shumë i ulët dhe pa asnjë fitore të taborëve të ndryshëm.

“Plazhet bosh”, “Mungojnë pushuesit kosovar”, “Çmimet e larta largojë pushuesit”, “Shezllonet me çmime astronomike”, pra janë vetëm disa nga titujt që u pushtuan nga portalet, duke mos e pasur asnjë fitim nga ky muhabet shterpë.

E vërteta është se mbi turizmin në Shqipëri duhet të flitet, duhet të debatohet shtruar dhe pa asnjë ngarkesë sepse Turizmi mendoj unë, pak a shumë është brengë e përbashkët, në këtë rast të kosovarëve si pushues dhe të vendasve si mikpritës.

Pra çështjen e trajtoj ose do ta orientoj në këtë pikë. Se turizmi në Shqipëri lëngon prej shumë vitesh nga gjëra të thjeshta, por shumë të domosdoshme për një pushues, kushdo qoftë ai dhe ky shpjegim imi as është ndërtuar nëpër laboratorët e Rusisë e Serbisë, siç kanë dëshirë ta përshkruajnë “patriotët kujdestar” e të gjitha kohërave, që nuk pajtohen asnjëherë me ndonjë vlerësim, që ata mendojnë se dëmtohet Shqipëria.

Unë asnjëherë s`jam pajtuar edhe me këto video lojërat e momentit që bëhen virale në situata të ndryshme në bregdetin shqiptar.

Pushues do të ketë gjithmonë në Shqipëri dhe këtë fakt se ndalon askush, por ne mund të flasim për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në Hotelierit, apartamentet private, plazhet që shpesh janë të papastra, mungesa e energjisë elektrike deri në 8 orë në ditë, mungesa e infrastrukturës, et.

Kam frekuentuar ose qëndruar edhe në Hotele të 200 eurove për një natë, po edhe në Hotele nga 70 euro e tutje dhe asnjëherë se pash ose nuk e takova tek dera e Hotelit, një person apo shoqërues që do të thotë “Mirëserdhe zotëri”. Pse mungon ky gjest mikpritjeje asnjëherë se kam kuptuar.

Do të duhej që në rate të tilla një shoqërues të shprehet: ”Mirë se erdhe vëlla dhe kaloni qaste të mira në ambientet tona”, mungon ky detaj në çdo cep të bregdetit.

Duhet ta keni parasysh se pushuesi kosovar zgjohet në 5 të mëngjesit për të mbërri në plazh, vjen i lodhur, i rraskapitur dhe momenti i parë ose kontakti i parë atij i kërkohet pagesa dhe netët e qëndrimit.

Janë elemente dhe cikërrima periferike, por që kanë pesh tek pushuesit.

Më rastisi të jem natën finale të kampionatit evropian në Shëngjin. Një Hotel bukur luksoz ku hyra për të pirë kafe, mezi më shërbyen me arsyetimin se janë të rezervuara tavolinat. Ngula këmbë dhe qëndrova derisa e përfundova kafenë. Përballë ose në hyrje të Hotelit luksoz ishin hiq më pak se 30 thasë mbeturina, ndërsa ngjitur pothuajse pushuesi kosovar, që ishte me familje po kryente ushqimin e pasditës. Kjo nuk është propagandë as diçka që e dëmton turizmin, përkundrazi ua hap sytë pronarëve, që kujdesi ndaj klientëve duhet të jetë maksimal dhe jo të shihen apo trajtohen si punë leku.

Pa humbur kohë turizmin në Shqipëri mund të dëmtohet e lëndohet vetëm nga vendasit, pra nga personat e parë që kanë kontakt me pushuesit, këtu hynë kamerierët, stafi i Hotelit, mbikëqyrësi i plazhit, kuzhina dhe pjesa e ushqimit.

Shqipëria po ecë shpejt, por krahas kësaj ajo duhet të kujdeset urgjentisht për cilësi në ushqime, cilësi në sjellje e mirësjellje, cilësi e shtim të sigurisë, kujdes maksimal në urgjenca mjekësore, shmangie e tollovi të trafikut, balanci i çmimeve ose ruajtja e tyre, sigurimi i energjisë elektrike, kujdestari 24 orë të largimit të mbeturinave nga kontejnerët, që kundërmojnë erë të tmerrshme.

Atëherë pse mos t`i debatojmë hapur këto situata absurdi dhe situata që me pak përgjegjësi institucionale dhe kujdes shtetëror mund të eliminohen.
Nuk besoj që ka ndonjë kosovar, me përjashtim të Agjencive Turistike, që tek e fundit e kanë biznes vajtje ardhjet në Shqipëri, dëshirojnë apo i gëzohen situatave kur plazhet mund të duken të zbrazëta.

Unë takova disa pronar të Hoteleve dhe më thanë me shqetësim se sivjet ka rënie të numrit të turistëve, krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo dukej qartë.
Tjetër janë dronët e Edi Ramës, i cili pa pikë nevoje mundohet të tregojë situatën ndryshe, në vend që Edi Rama, të investoj miliona në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, të paktën në trotuaret publike, që duken jo të mirëmbajtur sa duhet dhe të krijoj e mundësoj rend e rregull edhe në trafik.
Më pëlqeu kolegu nga Tirana, Lutfi Dervishi i cili me shembuj konkret kishte ngritur shqetësimin serioz të siç është shprehur ai :“Shkatërrimit të turizmit në jug” pikërisht nga pasoja e ngritjes së çmimeve.

E dëgjova edhe këtë teori se biznesmen nga Vlora kishin ardhur në Shëngjin dhe u kanë bërë presion Hoteleve të atjeshme që të ngrisin çmimet e dhomave dhe kjo më është argumentuar nga disa pronar shumë serioz.

Tani, a duhet të brengosemi për mungesën e pushuesve, që mund të jetë e përkohshme apo duhet të brengosemi për të gjitha ato shqetësime, e dilema që i prezantova më lart.

Bindja ime bazohet vetëm në gjetjet faktike që turizmi në Shqipëri, ka nevojë për reforma hoteliere, komunikim modern dhe qasje në komunikim në të gjitha platformat.

Tani dhe një shembull shumë periferik, por që pushuesit kosovar i kushton shumë. Shumë Hotele kanë mungesë të recepcionistëve ose kanë mungesë stafi. Dhe nëse t`i thirr në tel ose viber apo whacap në 90% të rasteve nuk e hapin telefonin dhe të sugjerojnë që të shkruash mesazh.

Mungesa e kamerierëve profesionist është shumë evidente dhe ata përbëjnë një pejzash të rëndësishëm të asaj që quhet turizëm me nivel cilësor. Kamarierët janë shumë “agresiv” dhe nuk kanë dëshirë të humbin shumë kohë me ty sepse nuk e kanë mendjen fare aty, ata e shohin vetën të përkohshëm dhe jo si pjesë e pandashme e Hotelit, ku punon e paguhet.

Nga ky mal problemesh tani në sfond na dalin “mbrojtësit kujdestar” ata patriotët me baterija që sulmojnë çdo personalitet, që jep një mendim ndryshe ose të paktën tregon gjendjen reale.

Unë nuk i thash, e as i përshkrova as 20% të defekteve, që ka turizmi në Shqipëri sepse për mua si do që të jetë gjendja atje, unë e dua e përjetojë dhe e ndjej bregdetin shqiptar.

Nëse pushuesi kosovar ose kushdo qoftë ai del herët në mëngjes, për të ecur skaj plazhit qysh në start do të bëhet nervoz sepse e sheh se asnjë nga plazhet nuk janë të pastruara, veti kjo shumë e dëmshme dhe neveritëse.

Ose kur në mbrëmje ke dëshirë për të ecur trotuareve publike, do të kënaqesh me kundërmimin e kontenjerëve të papastër. Të bëhemi real këto bashkitë e ato kompanitë publike, që paguhen nuk e kryejnë as 10% punën e tyre.

Jam i lidhur me atë hapësirë shqiptare dhe dëshirojë që ta shoh të ngritur e të avancuar çdo pjesë të bregdetit në Shqipëri, duke lejuar këtu edhe mendime ndryshe dhe ide e propozime, që mund të ndikojnë pozitivisht, për ta ndryshuar rrëmujën që po shkaktohet nga vetë vëllezërit tanë.

Unë kam përjetuar edhe momente e situata të pakëndshme, gjatë këtyre 24 viteve dhe nuk i takojë kategorisë së kolegëve të mi, që ngarendin pas reklamave dhe detin e shijojnë vetëm nga kafiteritë, thjesht flas nga përvoja ime e përjetuar, por pavarësisht kësaj bregdeti shqiptar për mua mbetet prioriteti kryesor sepse e dua me zemër, e dua me shpirt dhe nuk më bëjnë përshtypje tek e fundit finesat e vogla, anipse me pak syqeltësi ato mund të evitohen nga vëllezërit tanë.

Autori është themelues në Rajonipress dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikim në UBT

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një polic serb raportohet sa mbetur i vrarë mbrëmë në…