Kurti: Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt

18 korrik 2024 | 12:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

Kurti i ka bërë këto deklarata një ditë pas takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie, shkruan REL.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Ai ka përmendur që para shumë vjetësh, zyrtarë të Bashkimit Evropian i janë referuar hapjes së urës në tërësi për qarkullim si “simbol i normalizimit”.

“Kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë mes tjerash Kurti, kur e ka përmendur nevojën e hapjes së urës.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet serbe kanë arrestuar taksistin me inicialet H.M., i cili…