Krejt çka dihet deri tash për vrasjen e policit serb dhe pretendimet e përfshirjes së Faton Hajrizit

18 korrik 2024 | 18:41

Vrasja e një polici serb dhe dyshimet se në të u përfshi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës Faton Hajrizi, ka bërë bujë të madhe jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në rajon. Derisa eksponent të pushtetit e vetë pushteti serb këtë vrasje po mundohen ta shfrytëzojnë për propagandë politike, këto janë informacionet që dihen deri tash.

Është bërë publike fotografia e një të arrestuarit që dyshohet se e ka ndihmuar Faton Hajrizin.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se një i dyshuar është arrestuar në Bijeljina për transportimin nga Presheva në Loznicë të vrasësit të policit serb.

“Z.R. (1985) është arrestuar në Bijelinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Srpska, i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Loznicë. Po ashtu edhe gruaja e tij I.R. është arrestuar si bashkëpunëtore në Mlladenoc”, tha Daçiq.

Sipas mediumit serb “Novosti” i dyshuari i arrestuar ka pasur letërnjoftim fals të Banja Llukës.

Tashmë është publikuar fotografia e tij.

Të armatosur e me maska: Njësitet serbe bllokojnë zonën ku u vra polici – pamje

Policia e Serbisë është mobilizuar në kërkim të Faton Hajrizit, tashmë komplet zona është bllokuar.

Njësitet e Policisë së Serbisë kanë vënë bashkëpunim edhe me Policinë e Bosnjës.

Raportohet se është arrestuar një i dyshuar që ka pasur kontakt me Faton Hajrizin.

“450 euro për ta dërguar në Loznicë”: Taksisti që e transportoi Faton Hajrizin dëshmon para Policisë serbe

Taksisti i cili e ka transportuar për në Loznicë, Faton Hajrizin, është arrestuar dhe ka dëshmuar para Policisë së Serbisë.

Media serbe “Novosti” nga persona të afërt me hetimin, ka raportuar se taksisti nga Tutini, Serbi, i ka marrë nga i dyshuari 450 euro për ta transportuar atë për në Loznicë.

Sipas taksistit, marrëveshja ka qenë gjoja për ta çuar atë në një hotel në pronësi të, siç tha taksisti i arrestuar, Marko Markoviq.

Megjithatë, mediat serbe raportojnë se një hotel i tillë nuk ekziston.

Sipas “Novosti”, Policia e ka pyetur taksistin, “a nuk ishte e dyshimtë se kë dhe ku po e çoje”, për të cilën ai nuk u përgjigj saktë dhe qartë.

Hulumtuesi serb: Vrasja e një polici nuk është akt terrorist, Daçiq po politizon situatën

Drejtori hulumtues i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), Predrag Petroviq, ka thënë për mediumin serb “Danas” se vrasja e policit serb, nuk mund të cilësohet si sulm terrorist.

Ministri i MUP-it serb e zyrtarë të tjerë të qeverisë serbe, pretendojnë që vrasja e policit, ku dyshohet se është një kosovar, është sulm terrorist.

Mirëpo, për Petroviqin ka shpejguar se nuk ka elemente se vrajsa e policit është sulm terrorist.

“Nuk janë të gjithë elementët që mund ta karakterizojnë atë vrasje si një akt terrorist, që është një akt kriminal, qëllimi i të cilit është të frikësojë seriozisht popullatën, ose të detyrojë një shtet apo organizatë ndërkombëtare të bëjë ose të mos bëjë diçka. Nuk mund të shohim që këto elemente ekzistojnë këtu.” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se Daçiqit, ai beson se deklarata të tilla i bën për ta politizuar të gjithë rastin dhe për të përfituar nga fakti se autori i vrasjes dyshohet është shqiptar.

“Ai lidh menjëherë terrorizmin shqiptar, thjesht fakti që dikush është pjesëtar i një kombësie të caktuar nuk do të thotë se ai është terrorist. Do të ishte njësoj sikur dikush të thoshte se dikush është taleban apo terrorist sepse është nga Afganistani.” – ka thënë ai, duke shtuar se këto deklarata nuk kontribuojnë në pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, kur dihet se rasti është krim dhe jo sulm terrorist.

Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake serbe për vrasjen e policit: Daçiq e di se nuk është terrorizëm, po largon vëmendjen

Momir Stojanoviq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake, ka thënë se ministri i MUP-it serb, Ivica Daçiq e Petar Petkoviq rastin e vrasjes së policit, ku dyshohet se është një kosovar, po e përdorin për të larguar vëmendjen nga tema të tjera si minierat e litiumit.

Daçiq tha për RTS se ka dyshime se ky është një sulm terrorist dhe një akt që vjen nga Kosova e nga strukturat shqiptare.

Ish-drejtori, Momir Stojanoviq, duke komentuar akuzat e Daçiqit për dyshimin për një akt terrorist, thotë se ministri dëshiron ta largojë vëmendjen e publikut nga tema të tjera, si minierat e litiumit në luginën e Jadrës, raporton mediumi serb “Danas”.

Deklaratat e Daçiqit dhe Petkoviqit, si dhe më herët të presidentit Aleksandar Vuçiq, për terroristët dhe ekstremistët shqiptarë nga Kosova, të cilët janë kërcënim për stabilitetin dhe paqen, janë histori boshe për Stojanoviqin.

“Fatoni ka nejt te unë, mi ka vjedhë dokumentat”: Artan Hajrizi flet për vrasjen e policit serb

Vëllai i Faton Hajrizit, Artani, ka folur rreth zhvillimeve të fundit për vrasjen e policit në Serbi. Kjo pasi dokumentet e tij u gjetën në vendin e ngjarjes.

Megjithatë duket se vrasja është kryer nga Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës.

Artan Hajrizi, ka mohuar të ketë pasur dorë në vrasjen e një polici në Serbi.

Ai për Dukagjinin ka thënë se gjendet në Gjermani, derisa ka pretenduar se i janë vjedhur dokumentet identifikuese.

“Jam në policinë e Gjermanisë në Honiver i kam lajmëru që mi kanë vjedh dokumentet e janë ecë”, ka thënë Artan Hajrizi për Dukagjinin.

Artan Hajrizi i cili po kërkohet nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e policit serb, tha se vëllai i tij Faton Hajrizi, ka qëndruar te ai dhe ia ka marrë dokumentet.

“Dokumentet mi ka marrë se kuletën e la në tavolinë në korridor me çelësa me krejt e vëllai ka ndejtë te unë”, tha ai.

Deklarata e babait të Fatonit

Mustafë Hajrizi, babai i Artan e Faton Hajrizit ka folur ekskluzivisht për Nacionalen ku ka thënë se ky i pari nuk ndodhet në Kosovë por është në Gjermani

Në një deklaratë për gazetarin e Nacionales, Oqean Dermaku, ai ka thënë se Faton Hajrazi ka marrë pasaportën e vëllait të tij, Artanit, e cila nga autoritet serbe po pretendohet se është gjetur në Loznicë të Serbisë, ku u vra një polic serb.

“Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij (Artanit) ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë. Unë jam babai i tij.” – ka thënë ai fillimisht.

Pyetur nga Nacionale se si është marrë kjo pasaportë, Mustafë Hajrizi deklaron se nuk kanë informacione rreth kësaj.

“Jo, jo. Qysh u shku nuk kemi informata, ia ka vjedh, se di hiç cka ka bërë, pasaportën e tij e ka pasë.”

Tutje, ai është shprehur se i biri, Artani, është në Gjermani duke punuar.

“Artani në Gjermani, t’u punu është që tetë vjet. Po po (kemi folë me të).” – tha ai.

Nacionale e ka pyetur edhe nëse ka qenë në dijeni se me kë ishte në veturë Faton Hajrizi, ku ai u përgjigj:

“Jo jo nuk di kurgjo, ai u kanë t’u punu atje, nuk kanë pushim as kerkun”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është arrestuar mbrëmë nga autoritetet…