Policia serbe në kërkim të Faton Hajrizit që dyshohet për vrasjen e policit

19 korrik 2024 | 11:34

Policia në Serbi ka vazhduar të premten kërkimet për të dyshuarin për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri më 18 korrik në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Autoritetet janë duke kryer kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi besohet se sulmuesi mund të jetë nisur në atë drejtim, ka raportuar Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik, shjkruan REL.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët janë të përfshirë në kërkim.

Sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Sulmuesi është raportuar të ketë sulmuar me armë zjarri zyrtarët policorë, dhe më pas ka ikur.

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman.

Daçiq ka thënë se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë.

Artan Hajrizi ka thënë të enjten për mediat në Kosovë se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën.

Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviq, ka thënë për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar saktë”.

Ai ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnje -Hercegovinë, me ato të Kroacisë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në praninë e një rrethi të ngushtë të familjarëve,…