Botohen tre libra me poezi të shkrimtarit Rifat Muriqi

19 korrik 2024 | 13:14

Shtëpia botuese “Armagedoni” ka botuar tre libra të poetit Rifat Muriqi.

Për secilin libër  “Armagedoni” ka shkruar nga një shënim të shkurtër për përmbajtjen e librit:

Rifat Muriqi, pos shkrimtar, është edhe idealist. Për veprimtari atdhetare ka kontribuar me familje. Idealizmin e heronjve për komb dhe atdhe, për liri dhe pavarësi, edhe të kontribuuesve të tjerë për liri dhe paqe, edhe e ka dhënë saktë, edhe e ka zbukuruar në librin Atdhe, vdeksha për ty!, i cili është një libër përkushtues, në shenjë nderimi dhe kujtimi, për prijësit e luftës së Kosovës, për heronjtë dhe dëshmorët, për çdonjërin që ka derdhur një pikë gjak dhe djersë për çështjen kombëtare. Libri ka emra heronjsh, kryesisht të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, edhe të tjerë heronjsh të gjallë e me nam të madh në fushëbeteja. Muriqi përpos që shkruan për ta, në disa raste, me poezi si tekste të këngëve, u këndon sakrificave të tyre të pashembullta dhe, me këtë vepër letrare, krijon një përmendore kujtese për brezat e rinj.

Poezia lirike, veçan lirika e dashurisë, nuk i trazon vetëm të rinjtë. E ka trazuar dhe mbërthyer edhe Rifat Muriqin. Në librin e tij Mëkati i pafajësisë dashurisë ai i ka shkruar qindra poezi, qindra strofa, mijëra vargje. Nëpër vargjet e këtij libri herë shohim një djalë të ri, herë një mesoburrë, herë një të moshuar që e ka gojën plot dashuri. Për dashurinë, duket qartas, mund ta japë edhe jetën siç do ta jepte për atdheun. Ky rilindës modern, që shëtit nëpër udhët e atdheut dhe shpreh dashuri me masë dhe hiperbolë, miqve, vetvetes, të dashurave ua numëron mëkatet, dëshirat, vuajtjet, gabimet. Është poet që ka kujtesë të fortë, që kujton të bëmat erotike të vetat dhe të shokëve e të cilat i shpreh me ndjeshmëri të madhe.

Autor librash me poezi dhe prozë, Rifat Muriqi, sa më shumë që i afrohet pensionimit, aq më shumë shfaq pjekuri artistike në krijimtarinë letrare. Mos ma varni jetën te varri, thotë Muriqi në krye të kësaj përmbledhje poetike mbushur me motive dhe tema të ndryshme nga jeta e shqiptarit të zakonshëm, fati i të cilit është fat edhe i autorit, i cili qan, ëndërron, gëzohet, dëshpërohet, reagon, thumbon, evokon… Në një peshore të kujtesës vë ngjarje të llojllojshme. Përballë fate dhe fatkeqësi njerëzish. Tundime dhe mundime të tyre. Të mira dhe të këqija të tyre. Dhimbje dhe forcë të huajën dhe të veten. Kujtesë dhe harresë mbarëkombëtare…

Armagedoni

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ivana R., blogere e njohur në Serbi, është arrestuar si…